Vlorë, policia shmang krimin në mes të qytetit

14/07/2015 00:00

Policia e Vlorës ka bërë një ndërhyrje blic mbrëmjen e së hënës, duke parandaluar një krim të mundshëm në bulevardin e qytetit.

Sipas një njoftimi për shtyp, uniformat blu, duke patrulluar në orët e vona të mbrëmjes kanë konstatuar një grup personash të përfshirë në konflikt.

Agjentët kanë ndërhyrë menjëherë në zonën që lidh bulevardin me rrugën e lagjes së Skelës dhe ndaluan tre shtetas, dy prej të cilëve vëllezër, që ishin edhe të armatosur.

Sipas njoftimit, në pranga kanë rënë 23-vjeçari Eusebio Bitaj, i cili ka qenë në zotërim të një pistolete me të cilën po kërcënonte vëllezërit K.H dhe L.H, 26 dhe 24 vjeç.

Pasi e kanë neutralizuar, agjentët kanë shoqëruar në komisariat Bitajn, ndërsa sekuestruan në cilësinë e provës materiale pistoletën në posedim të tij, me të cilën ai dhunoi dy vëllezërit, duke i goditur në kokë me qytën e saj.

Nga ana tjetër, policia e Vlorës ka shoqëruar për në spital një nga vëllezërit e lënduar, ndërsa tjetri është marrë në komisariat për të sqaruar situatën, si dhe për faktin se gjatë përplasjes kishte goditur me tullë Eusebio Bitajn.

Tashmë materialet i kanë kaluar prokurorisë lokale për procedimin e mëtejshëm të çështjes.

Top Channel