Marrëveshja me Iranin, çmimi i naftës nis pikiatën

14/07/2015 00:00

Çmimi i naftës mori tatëpjetën pas lajmit të arritjes së marrëveshjes mbi programin bërthamor të Iranit. Ujdia e vulosur në Vjenë lehtëson sanksionet mbi naftën iraniane dhe kaq mjaftoi që kuotimi i arit të zi në tregjet ndërkombëtare të pësojë rënie.

Nafta bruto Brent e Detit të Veriut ra me mbi 2%, duke arritur në 56.70 dollarë për fuçi. Çmimi i naftës së lehtë amerikane, të njohur ndryshe si Western Texas Intermediate (WTI), u tkurr me 3.4% duke u fiksuar më pas në 50.40 dollarë fuçia.

Kuotimi i naftës e kishte nisur rrëshqitjen që në ditët përpara vulosjes së paktit. Hedhja rekord e arit të zi në treg nga Arabia Saudite, prodhuesi më i madh në botë, si dhe boom-i që po njeh industria e naftës argjilore në Shtetet e Bashkuara e kanë shtuar edhe më shumë trysninë mbi çmimin.

Embargoja pothuajse e kishte përgjysmuar prodhimin e Iranit në pak më shumë se 1 milion fuçi në ditë. Marrëveshja e Vjenës, me të gjitha gjasat, do t’i lejojë Republikës Islamike t’i rrisë në masën 60% eksportet brenda vitit.

Edhe pse regjimit të ajatollahëve do t’i duhen ndoshta muaj për t’iu rikthyer prodhimit me kapacitet të plotë, në tregun global edhe kështu të ngopur për shkak të mbifurnizimit, perspektiva e vërshimit të një sasie të re nafte, sipas ekspertëve, do të shtojë presionet mbi çmimin.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë paralajmëroi pak ditë më parë se, në kushtet aktuale të tejmbushjes së tregjeve, kuotimi i naftës do të tkurret akoma më shumë.

Top Channel