Kosovë, protestë e prodhuesve vendas të qumështit

14/07/2015 00:00

Prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit në Kosovë protestuan këtë të martë para qeverisë, duke i kërkuar shtetit që t’i mbrojë nga falimentimi.

Për këtë rrezik ata fajësuan importet e bulmetit nga jashtë dhe në shenjë proteste derdhën në rrugë qumësht, kos dhe djatht të kompanive të huaja.

Kryetari i Përpunuesve të Qumështit, Ramadan Mema tha se kanë dalë që të kërkojnë të ndalet diskriminimi i prodhimit vendor dhe rrezikimi i qytetarëve nga konsumimi i produkteve të dyshimta që importohen.

Mema shpalosi kërkesat e përpunuesve duke thënë se, prej 5 vitesh po kërkojnë një ligj, i cili do t’i mbronte prodhuesit dhe përpunuesit vendas të qumështit.

Protestuesit në duar mbanin pankarta me shkrimet “Qeveri, shpëto 40 mijë vende pune”, “Blini produkte vendore”, “Ne jemi me prodhuesit vendorë”, etj.

Protestën e mbështetën edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe lëvizja Vetëvendosje.

Top Channel