Operacione kundër hashashit, asgjësohen rreth 11 mijë rrënjë

14/07/2015 00:00

Policia e Krujës dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë asgjësuan mbi 10 mijë bimë hashashi në operacionin e koduar “Mafsheq 1”.

Bimët narkotike u gjetën të mbjella në 154 parcela të vogla në distanca të vogla nga njëra-tjetra, pranë fshatit Mafsheq.

Policia njofton se asgjësoi menjëherë në vend me anë të djegies bimët narkotike, ndërkohë që vijon nga puna për identifikimin dhe vënien përballë përgjegjësisë ligjore të autorëve të kultivimit të drogës.

Në fshatin Kumbull të Mirditës, policia asgjësoi një parcelë në të cilën ishin kultivuar rreth 50  bimë narkotike të dyshuara kanabis sativa dhe nisi procedim penal ndaj kryeplakut të fshatit për shpërdorim detyre.

Mësohet se bimët narkotike u zbuluan gjatë kontrollit të policisë në këtë fshat, ndërsa ato arrinin lartësinë 15-65 cm. Policia ka bërë të ditur se për këtë rast ka shoqëruar edhe disa persona të cilët dyshohet të jenë posedues të lëndës narkotike.

Ndërkohë, në Lezhë në fshatin Gjobardhaj, Ungrej, u gjet një parcelë në të cilën ishin kultivuar 56  bimë narkotike të dyshuara Canabis Sattiva, me lartësi 20-30 cm, ku dyshohet se këto bimë ishin të kultivuara nga shtetasi 62-vjeçar, Prend Pica, i prangosur nga uniformat blu.

Gjithashtu gjatë operacionit, po në fshatin Gjobardhaj, Ungrej, Lezhë në zonë pyjore të shpyllëzuar, u gjetën dy parcela të tjera në të cilat ishin  kultivuar 400 bimë  narkotike të dyshuara  Canabis Sattiva.

Top Channel