Vlahutin: Antikorrupsioni kërkon ndryshime Kushtetuese. Të reformohet edhe KLD-ja

14/07/2015 00:00

Gjatë një dëgjese publike të zhvilluar në Universitetin e Shkodrës, ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin deklaroi se lufta kundër korrupsionit në drejtësi kërkon ndryshime kushtetuese.

Por vetëm kjo nuk mjafton për të rikthyer besimin e qytetarëve, sidomos tek gjyqësori, ndaj Vlahutin këshillon edhe reformim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

“Reforma në drejtësi është kyçe për integrimin, ndaj dhe ajo kërkon një shumicë të cilësuar në Kuvend. Duhen të bëhen ndryshime në nivel kushtetues sa i takon korrupsionit. Gjyqtarët të jenë sa më transparentë. Mendoj se duhet reformuar edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Vetëm kështu mund të rikthehet besimi te qytetarët”, tha Vlahutin.

Ndërkohë, nga Luksemburgu, ku ndodhet për të marrë pjesë në një takim të ministrave të Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme, ministri Nasip Naço deklaroi se reforma në drejtësi do t’i dorëzohet Kuvendit për miratim në muajin tetor.

Top Channel