Rrugëtimi i “El Chapo”-s drejt lirisë

14/07/2015 00:00

Nga Meksika janë publikuar imazhet e para të tunelit të përdorur nga Joaquin Guzman, njohur ndryshe edhe si “El Chapo”, drejtues i kartelit më të fuqishëm të narkotrafikantëve në vend, atij të Sinaloas.

Bëhet fjalë për një strukturë me një gjatësi prej 1.4 kilometrash dhe lartësi 1.6 metër dhe gjerësi të mjaftueshme sa për të mbajtur një motoçikletë, që autoritetet meksikane besojnë se është përdorur nga lordi i narkotrafikut për të përshkuar distancën.

Tuneli është i pajisur me ndriçim dhe një sistem ajrosjeje jo fort të komplikuar. Për të ndërtuar tunelin, inxhinierëve të punësuar nga “El Chapo” u është dashur rreth 1 vit.

Besohet se është punuar njëkohësisht nga të dyja anët me një përpikmëri që po habit autoritetet. Brenda burgut të sigurisë së lartë, “Altiplano”, si bazë është përdorur dhoma e dusheve, ku “El Chapo” dhe ndihmësit e tij punonin pa u vënë re nga rojet, ndërsa jashtë mureve puna kishte nisur nga një pikë, ku si maskim përdorej një fermë.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar nëse në arratisje janë të përfshirë edhe drejtues të burgut, ndërkohë që “El Chapo” po shijon ditët e para të lirës duke postuar në rrjetet sociale foto, por edhe mesazhe kërcënuese, sidomos për kandidatin për president në radhët e republikanëve në Shtetet e Bashkuara, Donald Trump.

Ky i fundit reagoi përmes rrjeteve sociale pas arratisjes së lordit të drogës duke fajësuar autoritetet e korruptuara në Meksikë dhe neglizhencën e SHBA për të siguruar ekstradimin e tij për të vuajtur dënimin.

Menjëherë “El Chapo” publikoi një status ku kërcënon Donald Trump se do ta bëjë të heshtë përgjithmonë. Kaq ka mjaftuar që Trump të kërkojë ndihmën e FBI-së për sigurinë e vet.

Kjo ishte arratisja e dytë e “El Chapo”-s nga burgjet meksikane. Të njëjtën gjë e bëri edhe në vitin 2000. Ai ndodhet në listën e personave më të kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që Meksika ofron 5 milion euro për këdo që jep informacione për kapjen e tij.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel