Komisioneri Navracsics shpreh përkrahjen e mëtejshme të BE-së për Kosovën

14/07/2015 00:00

Komisioneri europian për Arsim, Kulturë, Rini dhe Sport, Tibor Navracsics, ka qëndruar edhe të martën në Kosovë.

Në konferencë për media, pas takimit me ministrin e Arsimit të Kosovës, Arsim Bajrami, komisioneri Navracsics tha se bashkëpunimi ndërmjet Bashkimit Europian dhe Kosovës në fushën e arsimit dhe reformat arsimore, janë shumë të rëndësishme për zyrtarët e BE-së, duke shtuar se cilësia e arsimit nuk është politikë vetëm ditore, por mund ta përcaktojë të ardhmen e njohurive dhe shkathtësive të gjeneratave të reja dhe stabilitetin e shoqërisë në përgjithësi.

I pyetur nga Top Channel, nëse është punuar konkretisht në lehtësimin e procedurave për marrjen e vizave, me qëllime akademike për studentët e Kosovës, komisioneri europian tha se kjo gjendje mund të ndryshojë vetëm pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

“Sigurisht ka vështirësi sepse ka mungesa të mundësive për të studiuar jashtë. Për shembull, ne kemi disa programe për Kosovën ku studentët mund të gjejnë disa mundësi, mirëpo është një numër i vogël programesh. Marrëveshja e stabilizim asociimit mund ta ndryshojë këtë gjendje . Sepse mund të kemi partneritet të mirë në këtë fazë dhe mund të kemi një numër të madh të studentëve që janë të gatshëm të studiojnë jashtë. Edhe në këtë rast duhet harmonizuar rregulloret  e vizave me përshkrimit e programit Erasmus”, tha Navracsics.

Sa i përket kësaj çështje, ministri Arsim Bajrami, tha se është kërkuar nga shtetet anëtarë të BE-së që të krijohen lehtësira për studentë dhe profesorë.

“Pas nënshkrimit të MSA-së dhe procesit të liberalizimit të vizave do të hapen rrugë për shkëmbimin e plotë të studentëve. Fatkeqësisht duhet ta pranojmë që akoma studentët tonë nuk marrin shpejt një vizë për qëllime akademike. Kemi kërkuar mirëkuptim nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian që të krijojnë procedura më lehta për botën akademike, bëhet fjalë për studentë dhe profesorë, por jam i sigurt se pas nënshkrimit të MSA-së dhe liberalizimit të vizave, studentët tonë do të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së”, u shpreh Bajrami.

Komisioner europian bëri të ditur se BE-ja është e interesuar në suksesin e reformave arsimore në Kosovë, ndaj dhe ka ndarë mbi 10 milionë euro si mbështetje për këto reforma.

Ministri Bajrami bëri të ditur se me ndihmën e fondeve evropiane ka filluar projekti i përshtatjes së sistemit të edukimit me nevojat e tregut të punës. Konkretisht po shqyrtohet mundësia e hapjes së shkollave profesionale bazuar në modelet evropiane, në mënyrë që të zvogëlohet numri i të papunëve.

Komisioneri Navracsics është pritur edhe nga kryeministri Isa Mustafa dhe ministri i Integrimeve Europiane, bekim Collaku.

Top Channel