Muaji Ramazanit, Rama shtron iftar: Krenar për tolerancën fetare

14/07/2015 00:00

Kreu i qeverisë, Edi Rama shtroi të martën në mbrëmje në ambientet e oborrit të Kryeministrisë një iftar për nder të muajit të shenjtë të Ramazanit.

Duke përdorur refuzimin e pjesëmarrjes së një miku ateist në këtë darkë, kryeministri Rama tha se feja islame nuk është një fe përjashtuese, ndërkohë që ka vlerësuar edhe njëherë tolerancën fetare që ekziston në vendin tonë.

“Një nga fjalët e para të Kuranit, njësoj si shtrimi i një iftari, është në fakt një ftesë, kjo ftesë thotë: lexo!. Në libra ne lexojmë çka shkruhen në letër, në një iftar ne lexojmë përmes pranisë dhe fjalëve të njëri-tjetrit. E pra, teksa ndajmë së bashku bukën e këtij iftari në tryeza që mbajnë emra bukurish të vrara nga barbaria ekstremiste, le t’i gëzohemi së bashku këtij momenti që të gjithë siç jemi në veçorinë tonë, duke ndierë pavarësisht besimit apo mosbesimit tonë në një Zot, përkëdheljen e madhe të fatit tonë që u lindëm dhe po jetojmë në një tokë që mban thesarin e paçmueshëm të vëllazërisë fetare, thesar që është barra jonë ta ruajmë si dritën e syve dhe për dritë të syve t’ia përcjellim fëmijëve tanë”, u shpreh kryeministri Rama.  

Në këtë iftar ishin të ftuar politikanë, krerët e besimeve fetare në vend, diplomatë, akademikë dhe njerëz të medias.

Top Channel