SHBA, Obama bën thirrje për reforma në sistemin e drejtësisë penale

15/07/2015 00:00

Presidenti Barack Obama ka bërë thirrje për reforma gjithëpërfshirëse në sistemin e drejtësisë penale, duke kërkuar që të reduktohen dënimet për rastet jo të dhunshme, të rishikohen rastet e izolimit të të burgosurve si dhe të rriten programet trajnuese për të burgosurit.

“Ne mbajmë më shumë njerëz pas hekurave se sa 35 shtete europiane së bashku”, u shpreh Obama, duke shtuar se afro-amerikanët dhe latinët përbëjnë pjesën më të madhe të të burgosurve në Amerikë.

Këto deklarata, Obama i bëri në Filadelfia përpara shoqatës kombëtare për avancimin e njerëzve me ngjyrë, NAACP, ku vuri theksin te investimet në edukim dhe programet trajnuese për të burgosurit.

Sipas Presidentit të SHBA-ve, të burgosurit duhet të vuajnë dënimin, por në të njëjtën kohë, shteti duhet t’iu bëjë më të lehtë rikthimin në normalitet në momentin kur ata do të dalin jashtë.

Gjithashtu, duke folur për rastin e izolimeve, Obama është shprehur se izolimi i të burgosurve 23 orë në ditë nuk i bën amerikanët më të sigurtë.

Të hënën, Obama iu shkurtoi dënimet 46 të burgosurve të cilët ishin dënuar për raste jo të dhunshme, ndërsa të enjten do të bëhet Presidenti i parë i SHBA-ve në detyrë që do të vizitojë një burg federal.

Top Channel