Arrestimi i drejtorit të hipotekës, Naço mbledh vartësit pas rastit të Lushnjes

15/07/2015 00:00

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço dënoi aktin korruptiv të kreut të Hipotekës së Lushnjes dhe tha se veprime të tilla ulin besimin e qytetarëve tek institucionet, pavarësisht punës së bërë gjatë kësaj kohe.

“Duke e krahasuar me periudhën e vitit të kaluar janë 270 mijë shërbime më shumë ndaj qytetarëve, por rasti i djeshëm trondit besimin e qytetarëve tek institucionet që u shërbejnë atyre, si dhe luftën që ne kemi nisur ndaj korrupsionit në të gjitha nivelet. Ky rast i shëmtuar hedh poshtë të gjithë atë që kemi bërë”, deklaroi Naço.

Ministri i Drejtësisë, në një mbledhje urgjente me drejtuesit e Hipotekës nga rrethe të ndryshme të vendit deklaroi se do të dëbohet nga institucionet kushdo që tenton të kryejë veprime korruptive dhe ftoi të gjithë qytetarët që të denoncojnë jo vetëm vjedhjen, por edhe veprimet jo etike në këto zyra.

“Të marrim më të mirët, të mbajmë më të mirët dhe të gjithë ata që kanë ardhur për interesa personale t’i flakim nga ky shërbim. Unë do të doja që bashkëpunimi ynë të vijojë, të seleksionojmë mirë pjesën e shëndoshë në zyrat tuaja nga pjesa tjetër, e cila çdo ditë manifeston shfaqje që janë të huaja për shërbimin tuaj, për qeverisjen dhe partnerët ndërkombëtarë”, theksoi Naço.

Ministri i Drejtësisë urdhëroi ndërkohë nisjen e inspektimit në Gjykatën e Beratit, pasi sipas tij në këtë institucion janë verifikuar shkelje të rënda ligjore. “Jemi të vendosur për të verifikuar çdo shkelje të ligjit dhe të gjithë shkelësit do të vihen para drejtësisë”, tha Naço. 

Top Channel