Greqia duhet të shlyejë borxhin, ministrat e Eurozonës japin 6 variante

15/07/2015 00:00

Edhe pse marrëveshja u arrit, ministrat e Financave të Eurozonës nuk i kanë rreshtur përpjekjet për gjetjen e një mënyre për të ndihmuar Greqinë që t’i shlyejë Bankës Qendrore Evropiane këstin e ardhshëm të borxhit.

6 janë opsionet në diskutim për momentin, por secili prej tyre ka probleme, thotë “Zëri i Amerikës”, sipas të cilit Greqisë i nevojiten 3.5 miliardë euro për të siguruar huanë nga BQE-ja.

Para se të lëvrohet kjo kredi, Athina duhet t’i shlyejë Fondit Monetar Ndërkombëtar detyrimet prej mbi 2 miliardë eurosh. Në total, sipas përllogaritjeve të ekspertëve, vendit i duhen gjithësej 7 miliardë euro në korrik dhe 5 miliardë të tjera deri në mes të gushtit.

“Po analizojmë të gjithë instrumentët dhe fondet e disponueshme”, deklaroi shefi i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem, “por gjithësecila prej tyre paraqet ose vështirësi implementimi, ose pengesa ligjore”.

“Sidoqoftë, përpjekjet tona për gjetjen e një zgjidhjeje vazhdojnë”, shtoi ai.

Në përfundimin e diskutimeve mbi rrugët për të menaxhuar lëvrimet dhe shlyerjet mes kredive të ndryshme, në mënyrë që Greqia të vazhdojë të funksionojë deri kur të negociojë një kredi prej 86 miliardë eurosh për të përballuar krizën, ministrat do të dalin me rekomandime konkrete.

Ndër opsionet në disutim janë kreditë bilaterale për Greqinë, disbursimi i fitimeve që realizoi Banka Qendrore Evropiane nga bonot greke të thesarit që i bleu gjatë krizës dhe lëvrimi i fondeve të një kredie të vogël të krijuar në vitin 2010 për të ndihmuar vendet në krizë.

Por, për t’u lëvruar kjo kredi nevojitet konsensusi i të 28 qeverive të Bashkimit Evropian, pasi fondi prej 13.2 miliardë eurosh ka dalë nga buxheti i BE-së.

Britania, e cila e pati kundërshtuar në të kaluarën përdorimin e kësaj shume në ndihmë të Greqisë, përsëriti të martën kundërshtimin e saj për lëvrimin e fondit. Zyrtarët e BE-së kanë thënë hapur se nuk do t’i bëjnë presion Londrës që të kontribuojë për të nxjerrë Greqinë nga kriza.

Në këtë klimë politike dhe ekonomike, vazhdon e VOA, liderët europianë po tregohen të kujdesshëm të mos acarojnë më tej skepticizmin ndaj bllokut në ekonominë e dytë më të madhe të BE-së.

Top Channel