Rinegociim për kufirin detar, Kotzias në Tiranë: Nuk jemi në gjendje lufte

15/07/2015 00:00

Shqipëria dhe Greqia do ta rinegociojnë çështjen e kufirit detar, ndërkohe që edhe çështje të tjera që kanë mbajtur të tendosura shpesh marrëdhëniet mes dy vendeve u trajtuan nën një tjetër këndvështrim nga shefat e diplomacisë së dy vendeve.

Përpjekja e Athinës për të rikthyer dialogun me Tiranën, u pa jo vetëm në trajtimin të gjitha çështjeve të prapambetura, sikundër edhe në sjelljen më shumë se miqësore të Nikolaos Kotzias, mbi të gjitha në qëndrimin për ligjin e luftës, çështjen çame dhe marrëveshjen e detit.

I pyetur për qëndrimin e qeverisë së re të Athinës për ligjin e luftës, ndryshe nga paraardhësi Nikolas Kotzias, bëri një hap përpara kur nuk kundërshtoi ekzistencën e ligjit të luftës, sikundër pohoi nevojën për zgjidhjen edhe të kësaj çështjeje.

“Ne besojmë se nuk ekziston një situatë lufte me Shqipërinë. Ne mendojmë që të gjitha deklaratat e bëra nga këshilli administrativ më 1980, bashkëpunimi që kemi me Shqipërinë në NATO, jo vetëm që na bëjnë miq, por na bëjnë dy shtete të cilat janë partnere, janë aleate. Mirëkuptojmë faktin se shpeshherë kjo mënyre leximi e jona, nuk përbën gjithmonë mënyrën e leximit nga pala shqiptare, ndaj në të gjitha marrëveshjet e tjera që do të bëjmë, do të gjejmë edhe njëherë tjetër mënyrën për të konfirmuar se nuk jemi në gjendje lufte. Nuk jemi, por duhet ta konfirmojmë këtë gjë. Përsa i përket heqjes së ligjit të luftës dhe të pronësisë, të të drejtave të pronësisë, ne themi se çdo qytetar shqiptar mund të shkojë në gjykatat greke dhe i mbështetur mbi të drejtën të pretendojë kërkesat e tij. Ne nuk duam që çështjes së pronësisë së individëve të bëhen elemente të errta në marrëdheniët ndërshtetërore, ose të minojnë disi miqësinë tonë”, tha Kotzias.

Por kryediplomati grek tërhoqi vëmendjen edhe për përgjigjen ndaj çështjes çame, kur për të parën herë foli për gabim historik dhe përgjegjësi historike.

“E kam si zakon të them se duhet të mësojmë nga historia, duhet të mbështetemi në histori, të mos përsërisim gabime të së shkuarës, por edhe të mos mbetemi të burgosur në këtë histori. Ndaj, kush do të na burgosë në këtë, dhe duke pasur madje një gabim historik dhe përgjegjësi historike, ne nuk do t’i ndjekim. Ne duam të ndërtojmë me Shqipërinë të ardhmen, dhe e ardhmja i përket të dyja vendeve, të dy popujve dhe kryesisht gjeneratave tona të reja”, deklaroi ai.

Ministri i Jashtëm shqiptar konfirmoi jo pa kënaqësi, mundësinë që me palën greke u fol për të gjitha këto çështje, sikundër edhe të tjera të pazgjidhura ndër vite.

“Për të gjitha këto çështje, më vjen mirë të them që nuk jemi mjaftuar thjesht tek listimi, apo ballafaqimi i qëndrimeve tona, por jemi përpjekur të gjejmë edhe rrugëdalje të mundshme, dhe në rast se nuk arrihet mirëkuptimi, nuk ka asnjë diskutim që ne do të kërkojmë adresimin e tyre brenda normave të së drejtës ndërkombëtare”, tha Bushati.

Adresimin tek e drejta ndërkombetare, mesa duket ministri Bushati pati më shumë parasysh çështjen e detit, ku edhe këtu Athina duket se ka lëvizur nga qëndrimi i saj për të njohur vetëm marrëveshjen e vjetër me Tiranën. Palët kanë rënë dakort që çështja të shqyrtohet në nivel teknik.

“Në rast se nga një punë e gjatë që mund të bëjnë grupet e ekspertëve, nuk arrihet në një përfundim të përshtatshëm, të pranueshëm për të dyja palët, e drejta ndërkombëtare, fryma europiane na orienton drejt mekanizmave apo instrumenteve që mund ta krijojnë këtë besim dhe mund të na japin një zgjidhje përfundimtare”, deklaroi ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati.

Vullneti i mirë i palëve u pa edhe në angazhimin për rishikimin e Paktit të Miqësisë, pothuaj 2 dekada pas hartimit të këtij dokumenti. Vullneti i shtuar i palës greke për të riparë të gjitha çështjet e mbetura pezull, nxitet edhe nga situata dhe marrëdhëniet e vështira financiare me BE-në, dhe padyshim që qeveria Tsipras nuk do t’i shtojë kësaj edhe marrëdheëiet jo të mira me fqinjët.

Për momentin duket se me Tiranën është tejkaluar ky ngërç, aq sa ministri i Jashtëm grek i përshtati padashe në greqisht emrin homologut shqiptar, duke iu drejtuar me Dhimitri.

Top Channel