PD: Vendi në krizë nga vjedhja. Qeveria mbështet korrupsionin dhe evazionin fiskal

15/07/2015 00:00

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, akuzoi qeverinë, se për shkak të rënies drastike të të ardhurave me rreth 150 milionë dollarë në 6 muaj, kur buxheti të rishikohet, investimet do të shkurtohen dhe varfëria do të rritet.

“Do të heqin nga buxheti investime në rrugë e shkolla, spitale e çerdhe, sepse paratë me të cilat do të ndërtoheshin janë vjedhur. Do të heqin nga buxheti kompensimin e shtresave në nevojë, dëmshpërblimin e pronarëve dhe të përndjekurve, sepse paratë me të cilat do të paguheshin ata, janë vjedhur”, tha kreu i PD-së.

Lulzim Basha ngarkoi kryeministrin Rama me përgjegjësi direkte jo vetëm për nivelin e lartë të korrupsionit dhe kontrabandës, por edhe për mbrojtjen e evazorëve.

“Ndaj, në emër të interesit publik e pyes përsëri publikisht kryeministrin: Ku kanë shkuar 150 milionë dollarët  e munguar në dogana dhe tatime gjatë këtyre gjashtë muajve? Ku kanë shkuar 50 milionë dollarët e kontrabandës gjigande të cigareve, rreth 800 ton në gjashtë muaj? Kush mban përgjegjësi? Sërish i bëj thirrje Prokurorisë të hetojë pa humbur kohë kontrabandën e cigareve dhe të çojë para drejtësisë autorët nga i pari tek i fundit. Në dijeninë tonë një shtet fqinj ka ofruar prova në lidhje me këtë kontrabandë. Kush i mban? Kush i fsheh? Në cilat sirtare janë bllokuar këto dokumenta?”, pyeti Basha.

Por sipas kreut të opozitës, nuk po mbrohen vetëm kontrabandistët e cigareve. Ai denoncoi zvarritjen e hetimeve për kontrabandën e naftës ‘virgin’, një skandal i denoncuar muaj më parë, kur sipas Lulzim Bashës, qindra mijëra tonë naftë jashtë standardeve u përzien me karburantin që përdorin qytetarët për automjetet e tyre.

“Pse zvarritet ky hetim, pse mbahet i bllokuar, nga kush dhe përse? Prokuroria ka gjithë mbështetjen e opozitës dhe publikut për t’i shkuar në fund këtij hetimi, pa u ndalur para asnjë pengese”, tha Basha.

I bindur se një pjesë e këtyre parave që mungojnë në buxhet kanë shkuar për blerjen e votave në 21 Qershor, Lulzim Basha tha se opozita do të bëjë gjithçka për të denoncuar korrupsionin me çdo mjet dhe në çdo institucion, duke patur si qëllim shndërrimin e opozitës në zërin e qytetarëve.

“E pra në këtë këndvështrim ne jemi shumica. Madje shumica dërrmuese. Në parlament le të kumbojë zëri juaj si përfaqësues të kësaj shumice. E lë të bëhemi gati që fuqia e zërit të kësaj shumice të oshtijë në sheshet dhe rrugët e qyteteve dhe fshatrave tona, duke nisur që nga kjo vjeshtë e pa kthim”, u shpreh kreu i PD-së.

Deri tani në Parlament ka kumbuar kryesisht vetëm zëri opozitar i Sali Berishës, kurse në komisionet parlamentare qëndrimet e deputetëve të opozitës pothuajse mungojnë.

Një nga këto raste ishte gjatë paradites në komisionin e ligjeve, kur të gjithë opozitarët, të cilët nga selia e partisë akuzojnë qeverinë si narkotrafikantë, heshtën në prani të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, që shpjegoi një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për kontrollin e lëndëve narkotike.

Top Channel