Me një letër drejtuar kryeministrit Tsipras ministrja plotësuese e Financave Nadia Valavani ka dhënë dorëheqjen nga posti i saj.

Është e pamundur të vazhdoj të jem pjesë e qeverisë, shkruan ajo, ndërsa nuk sqaron nëse do të votojë apo jo masat në Parlament në mbrëmjen e sotme dhe nëse do të japë dorëheqjen edhe si deputete e grupit parlamentar të Syrizës.

Valavani, një prej bashkëpunëtorëve të ish-ministrit të Financave Varoufakis kundërshton marrëveshjen që ka sjellë kryeministri Tsipras duke thënë se ky “kapitullim”, është kaq i madh sa nuk do të na lejojë ripozicionimin e forcave dhe se përkeqësimi i gjendjes, me firmën tonë, përbën një “gur varri”, për shumë vite.

Ajo ka mohuar gjithashtu zërat se një ditë para mbylljes së bankave ka tërhequr 200.000 euro, por nuk ka dhënë përgjigje nëse ka qenë apo jo një i afërmi i saj, siç thuhet në mediat greke.

Më herët edhe ministri i Energjisë dhe kreu i kahut marksist brenda Radikalëve të Majtë, Panajotis Lafazanis ka deklaruar se nuk do të votojë reformat që ka sjellë qeveria në Parlament për miratim.

“Personalisht, siç e dini, unë dhe gjithë Syriza nuk e votuam paketën e parë të shpëtimit, nuk votuam as paketën e dytë dhe nuk do të votoj as të tretën”, tha Lafazanis.

Zhvillimet e fundit tregojnë se seanca e votimit në Parlamentin e sotëm do të shkaktojë edhe tronditje të tjera në gjirin e Partisë qeveritare duke transformuar skenën politike në ditët e ardhshme.

“Ky Parlament nuk duhet të përfundojë në këtë shantazh, nuk duhet të pranojë këtë shantazh që i bëhet qeverisë”, tha kryetarja Zoe Constantopoulo.

Gjithësesi siç ka theksuar kryeministri Tsipras, prioriteti është që të aprovohen masat me shumicë votash nga Parlamenti dhe kjo konsiderohet e sigurtë pasi do i votojë dhe opozita dhe Greqia të marrë menjëherë ndihmën financiare duke shmangur falimentimin.

Për më pas edhe ai nuk ka përjashtuar mundësinë e një riformatimi të qeverisë apo të zgjedhjeve të reja.

Top Channel