Marrëveshja me Iranin, kundërshtojnë rivalët politikë të Obamës

15/07/2015 00:00

Kundërshtarët politikë të Barak Obamës ngritën zërin kundër marrëveshjes historike me Iranin, të arritur një ditë më parë në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë.

Kongresi amerikan ka 60 ditë kohë për ta diskutuar paktin, ndërsa shefi i Shtëpisë së Bardhë e ka bërë paraprakisht të qartë se do t’i vërë veton çdo përpjekjeje për bllokimin e tij.

Republikanët mbajtën një qëndrim mjaft armiqësor ndaj ujdisë së një dite më parë, që u sulmua ashpër edhe nga Izraeli. Lideri i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell, deklaroi se marrëveshja e konsideruar një prej arritjeve më të mëdha diplomatike të Presidencës Obama është në fakt “pakti më i leverdisshëm për Iranin”. Iranianët duket se ishin mbizotërues në negociata, tha McConnell; në fund të ditës, mbajtën me mijëra centrifuga, dhe në vend që t’i jepnin fund kapacitetit të tyre bërthamor e pasuruan akoma me shumë.

Teherani tani do të përfitojë miliarda dollarë që t’i shpenzojë lirisht për terrorizmin, ishin komentet e ashpra të tij. I së njëjtës linjë u shfaq dhe kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner. Obama, sipas tij, e devijoi nga objektivi fillestar për të negociuar me Teheranin.

“Nga pakësimi i sanksioneve, Irani përfiton miliarda dollarë. Pakti i jep po kështu hapësirë të mjaftueshme për të prodhuar armë bërthamore pa qënë aspak e nevojshme të gënjejë. Në vend që ta bënte botën më pak të rrezikshme, kjo marrëveshje e fuqizon akoma më shumë mbështetësin më të madh të terrorit në botë, duke ndihmuar në stabilizimin dhe legjitimizimin e regjimit në Teheran”, tha John Boehner, kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.

Demokratët nga ana tjetër, nëpërmjet lideres së pakicës në Kongres, Nancy Pelosi dhe senatorit Harry Reid, folën për një pakt tejet të rëndësishëm, i cili ishte produkt i shumë vite drejtimi të guximshëm dhe me një objektiv të qartë nga Presidenti Obama. Ne nuk kemi iluzione për regjimin iranian, u shpreh Pelosi.

Të gjitha opsionet mbeten mbi tryezë,shtoi ajo, nëse Irani do të hedhë ndonjë hap drejt krijimit të një arme bërthamore, apo nëse devijon nga kushtet e kësaj marrëveshjeje. Ujdia e së martës paraqet një kompromis historik pas një bllokadë 12- vjeçare që kërcënonte të nxiste një konflikt në Lindjen e Mesme, por ai do të hyjë në fuqi vetëm pasi të jenë hequr disa nga pengesat në Uashington dhe Teheran.

Top Channel