Kosovë, ministri serb: Po sulmohen serbët e kthyer

15/07/2015 00:00

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë, Lubomir Mariç ka ngritur të mërkurën në mbledhjen e kabinetit qeveritar shqetësimin për sulmet që janë bërë ndaj serbëve nga janari i këtij viti e deri më tani.

Ai ka kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa që të adresojë këtë shqetësim dhe të merren masa ndaj autorëve të sulmeve ndaj serbëve të kthyer.

“Që nga janari kemi rreth 20 sulme ndaj serbëve të kthyer në komunën e Klinës dhe 20 sulme në komunën e Pejës. Pra, janë diku rreth 60 raste në këtë periudhë, përfshirë edhe ato të ndodhura së fundmi në fshatin Gorazhdec. Pra, janë të gjitha sulme mbi serbët e kthyer. Sulmi më serioz ka qenë në janar, në Dresnik të komunës së Klinës”, ka deklaruar Mariç.

“Ne dënojmë çdo sulm që ndodh ndaj qytetarëve serbë në Kosovë. Por duhet të bashkëpunojmë, të punojmë së bashku që të ketë sa më pak, sepse edhe unë edhe ministrat jemi të gatshëm që gjithmonë të jemi në ato mjedise që mund të kemi probleme të tilla. Janë krime të cilat ndodhin dhe ndaj të cilave duhet të merren masa ligjore. Ajo për të cilën ne do të angazhohemi si qeveri është që gjithë qytetarët ta ndjenë vetën të siguritë dhe të mos ketë probleme të tilla, që nesër të mos i dallojmë se a po bëhen ndaj serbëve apo shqiptarëve. Çdo krim do të jetë i dënueshëm dhe do të merren masa”, është përgjigjur kryeministri Mustafa.

Në mbledhjen e kabinetit qeveritar, Mustafa i ka detyruar të gjithë ministrat që të enjten të marrin pjesë në seancën plenare të Kuvendit ku do të shqyrtohet dhe miratohet në lexim të dytë rishikimi i buxhetit për pjesën e dytë të vitit.

Top Channel