Kosovë, KDI publikon raportin për Kuvendin: Vonesa në miratimin e projektligjeve

15/07/2015 00:00

Instituti Demokratik i Kosovës ka prezantuar raportin për vlerësimin e punës së Kuvendit të Kosovës për gjashtë mujorin e parë të këtij viti, i cili bazohet në efektshmërinë e punës së legjislativit dhe transparencën e këtij institucioni.

Sipas raportit të KDI-së, koalicioni i madh qeverisës i krijuar pas ngërçit politik, edhe pse ka siguruar numër të madh të votave, në momentet më vendimtare ka dështuar të sigurojë votat e dy të tretave të deputetëve për ndryshimet kushtetuese.
 
Raporti po ashtu tregon për dinamikën e ulët të miratimit të projektligjeve në Kuvend, ku deri në këtë fazë janë miratuar në dy leximet vetëm 16 ligje, apo më pak se një e katërta e projektligjeve të planifikuara.
 
Gjatë prezantimit të raportit, Driton Selmanaj nga KDI tha se miratimi i shpejtë dhe pa debat të mjaftueshëm i buxhetit të vitit 2015, por edhe i rishikimit të tij e ka zvogëluar rolin e deputetëve kosovarë në projektet kapitale.
 
Ai ka përmendur edhe zhvillimet pozitive të legjislaturës së re, duke theksuar faktin e hapjes së mbledhjeve të Kryesisë së Kuvendit nga kryeparlamentari Kadri Veseli për publikun.

Top Channel