Kreu i Portit të Shëngjinit ndalohet për korrupsion

15/07/2015 00:00

Kapiteni i Kapitenerisë së Portit Detar të Shëngjinit është ndaluar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA). Shkëlqim Celami akuzohet për korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.

Ndërkaq, është ndaluar edhe Reoland Leka, pronar i mjetit lundrues “Sarda”, si dhe është shpallur në kërkim B. Ç., punonjës në Drejtorinë e Policisë Kufitare në Durrës. Për këtë të fundit, Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”.

Pas një hetimi 4-mujor rezultoi se Lekaj, pronar i mjetit të lundrimit “Sarda” ka marrë në mënyrë të paligjshme Dëshminë e Aftësisë së Lundrimit për mjetet e vogla, kundrejt shpërblimit prej 3 mijë euro. Me ndërmjetësimin e punonjësit të policisë B. Ç., kjo sasi parash i është dhënë Celamit, i cili i krijoi këtë favor.

Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Brendshme, mjeti i lundrimit, së bashku me Certifikatën e Dëshmisë së Aftësisë së Lundrimit, me vendim të Prokurorisë, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Top Channel