Idrizi: Kotzias, qëndrim folklorik për çështjen çame

15/07/2015 00:00

Në konferencën e përbashkët për shtyp, dy ministrat e Jashtëm, Bushati dhe Kotzias, u angazhuan për zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve, por pjesë e këtyre problemeve, për Athinën nuk është çështja çame.

Pala greke vijon të ruajë të njëjtin qëndrim sa u përket pronave të shqiptarëve të Çamërisë të dëbuar pas Luftës së Dytë Botërore si bashkëpunëtorë të nazizmit. Këtë e konfirmoi edhe Kotzias.

“Sa për të drejtat e pronësisë, çdo qytetar shqiptar duhet të shkojë në gjykatat greke dhe i mbështetur mbi të drejtën të kërkojë pronën e tij. Nuk duam të minojmë miqësinë tonë. Duhet të mësojmë nga historia, të mbështetemi në histori, të mos përsërisim gabimet e së shkuarës dhe të mos mbetemi të burgosur në këtë histori”,  tha Kotzias.

Këto deklarata kanë ngjallur reagimin e kreut të PDIU-së, Shpëtim Idrizi.

“Mesa duket, z. Kotzias ka përzgjedhur të mësojë historinë e ekstremit të djathtë të Napoleon Zervës dhe jo ashtu siç ka ndodhur në të vërtetë. Qëndrimi i tij ndaj çështjes çame, duke kërkuar edhe një herë ‘fajtorët’ te viktimat është një qëndrim folklorik, tipik i provincializmit ballkanik dhe në kontrast të dukshëm nga qëndrimi fisnik e me vlera europiane që mbajti një ditë më parë Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Shultz, i cili kërkoi falje për masakrat e nazizmit. Natyrshëm lind pyetja: Po ju z. Kotzias do të kërkoni falje për 5100 të vrarë, të masakruar e të përçunduar nga një bashkëpunëtor i nazizmit si Napoleon Zerva? Po për pjesën tjetër të dëbuar në një spastrim të pastër etnik? Për 5900 shtëpi të djegura e të shkatërruara? Për dhjetëra çamë ortodoksë të vrarë brutalisht për të dhënë shembullin të pjesa tjetër? Është turp për një përfaqësues të vendit të Aristotelit, të vijojë me një retorikë neonaziste në qendër të Tiranës”, shkruan Idrizi, në faqen e tij në Facebook.

Idrizi kundërshton kryediplomatin grek sa i përket ligji të luftës mes dy vendeve, që sipas tij, ekziston.

“Një fantazëm historike që u miratua nga kryetari i Partisë Nacional-Socialiste Greke, Metaksas, fatkeqësisht sot mbretëron si ligj dhe si mendësi në qeverinë e re greke, që mesa duket ka humbur çdo lidhje me antifashizmin nga buron dhe ka kaluar në përqafimin e ideve të papranueshme për Europën. Çdo mendje e shëndoshë beson tek drejtësia europiane, dhe jo te falimentuesit e një vendi europian, që sot kanë humbur busullën e orientimit të tyre historik e politik”, mbyll reagimin e tij kreu i PDIU-së.

Top Channel