Jahjaga pritet me nderime të larta nga Mbretëresha Elizabetë

15/07/2015 00:00

Atifete Jahjaga është pritur të mërkurën nga Mbretëresha Elizabetë e Mbretërisë së Bashkuar, në Buckingham Palace në Londër, me nderimet më të larta dhe me intonimin e himnit shtetëror të Republikës së Kosovës, njoftohet në një komunikatë për shtyp nga Presidenca.

“Moment historik. Nder dhe privilegj që ta falenderoj lartmadhërinë e saj, Mbretëreshën Elizabetë për rolin qenësor të Britanisë së Madhe për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, shkroi në “Facebook” presidentja e Kosovës.

Në deklaratën e lëshuar nga Presidenca e Kosovës thuhet se Jahjaga, në bisedë me Mbretëreshën Elizabetë, foli për arritjet e Kosovës në ndërtimin e shtetit demokratik, të bazuar në rend dhe ligj dhe një shtet gjithëpërfshirës, që garanton të drejtat e barabarta për të gjithë qytetarët, pa dallim, dhe gjithashtu një shtet kontribuues në sigurinë dhe paqen, jo vetëm në rajonin e Ballkanit.

Presidentja Jahjaga, në bisedë me Mbretëreshën tha se integrimi i vendit në NATO dhe në BE i ka bashkuar të gjithë qytetarët e tij dhe Kosova sot nuk ka alternativë tjetër. Ajo tha se po bëhen përpjekje të vazhdueshme për arritjen e standardeve për integrim evropian, përmes thellimit të reformave në shoqëri, përballjes me krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe vendosjen e një qeverisjeje të mirë, që do të mundësojë edhe rimëkëmbjen e ekonomisë dhe investimet e huaja.

Më tej në deklaratë thuhet se Jahjaga theksoi se dy vendet kanë vazhduar të bëjnë punë të përbashkëta në fusha të ndryshme. Ajo tha se të dyja vendet janë angazhuar në parandalimin e dhunës seksuale gjatë luftës, ofrimin e mbështetjes shëndetësore dhe sociale për viktimat e dhunës dhe përpjekjen për t’i integruar në shoqëri.

Top Channel