Meta pret Kotzias: Marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, jetike për rajonin

15/07/2015 00:00

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë të një rëndësie të veçantë, jo vetëm për raportet mes dy vendeve, por për gjithë rajonin.

Këtë konstatim bëri kreu i Kuvendit, Ilir Meta në takimin me ministrin e Jashtëm grek, Nikolaos Kotzias, në kuadër të vizitës zyrtare të kryediplomatit grek në Tiranë.

Meta vlerësoi gjithashtu vullnetin e Greqisë për t’i parë pozitivisht çështjet e trashëguara nga e kaluara dhe shprehu mirënjohjen në mënyrë të veçantë për qëndrimin dhe përqasjen realiste të Greqisë ndaj Kosovës, si një kontribut për sigurinë e stabilitetin rajonal.

Nga ana e tij, Kotzias vlerësoi lidhjet e forta që ekzistojnë mes Greqisë dhe Shqipërisë si dhe miqësinë e vjetër mes dy popujve, duke nënvizuar se në interes të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh, Greqia ka vullnetin për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të mbetura.

Kotzias rikonfirmoi gjithashtu mbështetjen e plotë të Greqisë për avancimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe nënvizoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit rajonal, ku faktori shqiptar ka një domethënie të veçantë. Në këtë kuadër u theksua se forcimi i bashkëpunimit ndërparlamentar ka një rëndësi të veçantë.

Në përfundim të takimit u shpreh vlerësimi i përbashkët për rolin e minoritetit grek në Shqipëri dhe komunitetit shqiptar në Greqi si dy ura të forta lidhëse mes dy vendeve.

Top Channel