Admir Tafilaj drejtonte “Grupin e tritolit” nga qelia, urdhëroi të paktën 4 vrasje

15/07/2015 00:00

Policia ka mbyllur dosjen në ngarkim të atij që njihet si “Grupi i Tritolit”. Sipas uniformave blu, ky grup përbëhej nga 13 persona, prej të cilëve nëntë të arrestuar dhe katër të tjerë të shpallur në kërkim.

Grupi i strukturuar dyshohet për të paktën katër vrasje dhe sipas policisë, drejtohej nga qelia nga Admir Tafilaj, i dënuar me burgim të përjetshëm për akuzën e vrasjes.

Pas punës së bërë nga ana e strukturave të hetimit të krimeve të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, u dokumentua veprimtaria për 10 persona të implikuar, nga të cilët janë arrestuar 8 prej tyre, shpallur në kërkim 2 si dhe vazhdon puna për dokumentimin e veprimtarisë për 3 persona të tjerë.

Hierarkia dhe rolet e secilit në grup ishin si vijon; Admir Tafilaj, drejtues i grupit, i dënuar me burgim të përjetshëm, Kristi Jovan Pine, ekzekutor, i arrestuar më 16 shkurt të këtij viti, Alfred Qefali, ekzekutor, i arrestuar më 11 shkurt po të këtij viti, Elson Merdani, anëtar i grupit dhe kunat me Admir Tafilajn, i arrestuar po në shkurt të këtij viti, Albano Uzuni, anëtar dhe porositës, i arrestuar në Torino për vepra penale në fushën e narkotikëve, Fatos Koka, anëtar i grupit, arrestuar katër ditë më parë, Dhimitër Zito, arrestuar më 18 mars të këtij viti dhe Dritan Peksani, i shpallur në kërkim.

Në përfundim të hetimeve, thotë policia, rezulton e provuar se me porosi të shtetasit Admir Tafilaj ndodhën këto ngjarje:

Më datë 25 qershor të një viti më parë, është kryer vrasja e shtetasit Brahim Mani në Shkodër nga Kristi Pine.

Gjatë nëntorit të vitit 2014, Kristi Pine ka marrë porosi nga Admir Tafilaj për të vrarë shtetasin Leonard Murataj, kundrejt një shume prej 50.000 euro. Shtetasi Leonard Murataj është ekzekutuar më pas nga persona të tjerë në qytetin e Durrësit.

Më 4 shtator të 2014, me porosi të Adrian Uzunit, Kristi Pine dhe Alfred Qefalia kanë tentuar të vrasin me armë zjarri shtetasin Edmond Çakmashi.

Më datë 4 dhjetor 2014, Fatos Koka ka porositur Kristi Pinen për të vrarë shtetasin M. L. për shkak të një konflikti pronësie të ndodhur në vitin 2010 në qytetin e Tiranës mes M. L. dhe fisit Koka.

Sipas policisë, grupi kriminal ushtronte aktivitetin e tij të paligjshëm në trafikimin e narkotikëve, trafikimin e armëve dhe municioneve, gjobvënies, vrasjes me paramendim, prodhimit dhe mbajtje e armëve luftarake dhe municionit.

Top Channel