Maqedoni, Gruevski dorëhiqet në janar; në zgjedhje me qeveri teknike

15/07/2015 00:00

Presidenti maqedonas Gjorge Ivanov pret që marrëveshja e arritur mes katër liderëve partiak të normalizojë situatën politike në vend.

Ai ka përshëndetur marrëveshjen për zgjidhjen e ngërçit dhe ka porositur drejtuesit partiakë ta kuptojnë rolin që kanë në shoqëri dhe t’i analizojnë të gjitha pasojat që mund të shkaktojnë aktivitetet e tyre.

“Shpresoj që dispozitat e marrëveshjes së arritur nuk do të bëhen motiv për luftën për pushtet, por do të shërbejnë si një garë e ideve dhe programeve për të fituar besimin e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.  Esenca e luftës politike nuk janë interesat personale, por beteja për një Maqedoni me perspektivë evropiane”, tha Ivanov.

Ndërkohë, kryeministri Nikola Gruevski duke prezantuar marrëveshjen për zgjidhjen e krizës, konfirmoi se ka pranuar të largohet nga posti që mban deri në janar të vitit të ardhshëm.

“Në të ardhmen zgjedhjet e ardhshme parlamentare, 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare Qeveria do të tërhiqet dhe do të formohet një qeveri për organizimin e zgjedhjeve. Kjo do të thotë se VMRO-DPMNE do të propozojë kryeministër të përkohshëm për periudhë prej 100 ditëve, duke filluar prej 15 janarit të vitit 2016 deri në zgjedhje të cilat do të mbahen më 24 prill të vitit 2016”, tha Gruevski.

Marrëveshja e arritur mes katër liderëve në Shkup, sipas kreut të partisë opozitare LSDM, Zoran Zaev, vërteton se Gruevski dhe bashkëpunëtorët qeverisin në mënyrë kriminele dhe se nuk kanë mbështetjen e qytetarëve por i vjedhin proceset zgjedhore.

“Largimi i Gruevskit nga pushteti do të ndodh deri në fund të këtij viti, kurse qeveria e re do të votohet më së voni deri më 15 janar. Atë që e premtuam tani e kemi realizuar, Nikola Gruevski nuk do t’i organizojë zgjedhjet”, është shprehur kreu i LSDM-së, Zaev.

Edhe ambasadori amerikan në Shkup, Baily ka komentuar marrëveshjen për zgjidhjen e krizës, duke thënë se me të ka fituar Maqedonia, pasi në këtë mënyrë vendit i hapen dyert për të lëvizur fuqishëm drejt NATO-s e BE-së.

Liderët shqiptarë pjesëmarrës në negociata ende nuk kanë bërë komente për marrëveshjen që duhet t’i japë fund krizës politike në vend.

Top Channel