Orë dramatike në Greqi. Tsipras: Ose më mbështesni sot, ose nesër bie Qeveria

15/07/2015 00:00

Rreth dy orë para se të fillojë votimi në Parlamentin grek për miratimin e  projektligjeve që kërkohen, në mënyrë që Greqia të marrë paketën e tretë të ndihmës, ka përfunduar  edhe mbledhja dramatike e grupit parlamentar të Radikalëve të Majtë. Kjo mbledhje është zhvilluar pas dyerve të mbyllura, në një klimë të tensionuar dhe ka filluar diskutimi i 300 ligjvënësve në një prej seancave më kritike në historinë e këtij institucioni.

“Nëse nuk më mbështesni sot, nesër nuk do të jem kryeministër; ose bashkë me mua sot, ose nesër bie Qeveria e majtë”, kanë qenë fjalët e fundit të kryeministrit Tsipras drejtuar deputetëve të partisë së tij.

“Kush më gjeti një zgjidhje tjetër që nuk do të ishte me pasoja katastrofike për popullin dhe unë nuk e bëra – le të ma thotë”, është shprehur ai. Tsipras ka deklaruar se as falimentimi i çrregullt dhe as dalja e përkohshme 5-vjeçare e Greqisë nga Eurozona e planifikuar nga zoti Shcauble, nuk duhet të ndodhin.

Por nga ana e tij, grupi marksist brenda Radikalëve të Majtë, i drejtuar nga ministri i Energjetikës, Panagiotis Lafazanis karakterizon dilemën: “Marrëveshje ose katastrofë”, si dy alternativa që terrorizojnë deputetët dhe se kjo dilemë nuk duhet marrë parasysh.

Kanë qenë të shumta publikimet e orëve të fundit për ministrin në fjalë, sipas të cilave ka propozuar konfiskimin e 22 milionë eurove që ndodhen në Bankën e Greqisë dhe qarkullimin e një monedhe të re kombëtare, duke dalë nga Eurozona.

Mediat greke, ndërkohë po ironizojnë  grupin e madh të deputetëve të Radikalëve të Majtë që kundërshtojnë hapur kryeministrin Tsipras, duke mos pranuar masat, grup i cili mund të shkojë në 40 deputetë, për faktin se vetëm para pak orësh, Parlamenti francez miratoi marrëveshjen për Greqinë me shumicë të konsiderueshme votash.

Top Channel