Takimi me Kotzias, Nishani vlerësoi hapjen e Zyrës së Kosovës në Athinë

15/07/2015 00:00

Takimi mes Presidentit të Republikës, Bujar Nishani me ministrin e Jashtëm grek, Nikolaos Kotzias u përqendrua rreth zhvillimeve më të fundit në Greqi, marrëdhëniet dypalëshe si dhe bashkëpunimi rajonal.

Presidenti Nishani theksoi se po ndjek me vëmendje zhvillimet në Greqi, dhe se shpreson që kjo situatë e vështirë të kapërcehet sa më shpejt. Duke vlerësuar rëndësinë e kësaj vizite për intensifikimin e dialogut dhe marrëdhënieve mes dy vendeve, kreu i shtetit evidentoi rëndësinë që ka avancimi i mëtejshëm i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Greqisë, dhe zgjidhja e të gjitha çështjeve që qëndrojnë në agjendën e ngjeshur dypalëshe.

Presidenti i Republikës u shpreh se Shqipërinë dhe Greqinë i lidh fqinjësia, miqësia mes popujve si dhe partneriteti strategjik, përfshirë aleancën në kuadër të NATO-s. Ndër të tjera, ai theksoi se komuniteti shqiptar në Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri, ndërlidhja e shumëfishtë ekonomike, etj, përbëjnë ura shumë të forta të lidhjeve mes dy vendeve.

Presidenti Nishani vuri gjithashtu në dukje progresin që ka bërë vendi ndër vite, dhe se tashmë të gjitha përpjekjet janë drejtuar kah procesi i integrimit në Bashkimin Europian, dhe në këtë kontekst ai vlerësoi mbështetjen që Greqia i ka dhënë Shqipërisë në këtë proces.

Duke vlerësuar vullnetin e mirë dhe zgjidhjen e çështjes së toponimeve, Kreu i Shtetit theksoi se po kjo frymë pozitive që buron edhe nga Traktati i Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit mes dy vendeve tona, duhet reflektuar në të gjitha çështjet e hapura të agjendës sonë dypalëshe. Në këtë kontekst, Presidenti ngriti dhe shqetësimin e komunitetit çam në lidhje me mohimin e të drejtave të tyre, përfshirë ato pronësore, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, por edhe duke konsideruar se kjo do të çlironte energji tejet pozitive në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Presidenti Nishani e vlerësoi si një shenjë shumë të mirë dhe pozitive vizitën e ministrit të Jashtëm të Greqisë në Kosovë, duke mirëpritur dhe hapjen së afërmi të Zyrës së Kosovës në Athinë.

Top Channel