Ligji i Luftës, Bushati: Së shpejti pres shfuqizimin e tij nga Greqia

15/07/2015 00:00

Vizita e ministrit të Jashtëm grek, Nikolaos Kotzias në Tiranë mbërriti pas një periudhë të ftohtë në marrëdhëniet mes dy vendeve, shkaktuar kryesisht për çështjen e kufirit detar. Por a i shkriu akujt kjo vizitë dhe a është e gatshme Athina që të çmontojë juridikisht të famshmin ligj lufte?

Këtyre dhe të tjera pyetjeve u dha përgjigje ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Ai foli në një lidhje të drejtpërdrejtë me edicionin qendror informativ në Top Channel.

Ilir Paço: Pas një periudhe tensionimi të marrëdhënieve Shqipëri – Greqi, është zhvilluar takimi i parë me një zyrtar të këtij niveli me qeverinë e re greke. A i duhej Athinës në këto momente zbutja e retorikës me Tiranën?

Ministri Bushati: Nuk ka pasur periudhë tensionimi mes Tiranës dhe Athinës. Sigurisht një marrëdhënie ka dritëhijet e saj. Vizita ishte një mundësi e mirë për të bërë një bilanc të marrëdhënieve dypalëshe dhe një mundësi për të diskutuar të gjitha ato elemente që Shqipëria dhe Greqia i konsiderojmë si pjesë të dosjes diplomatike dhe më vjen mirë që të konstatoj që në marrëdhëniet tona, nuk ka më asnjë çështje tabu dhe kemi një ballafaqim pikëpamjesh dhe jemi përpjekur vijimësisht për të skicuar shtigje apo rrugë, që mund të kalojnë të gjitha pengesat, historike apo praktike. Nuk do të ishte e shëndetëshme për këtë marrëdhënie që të flasim për taktika të Greqisë apo Shqipërisë. Konstatoj që kemi një afrim pikëpamjesh sa i përket këtyre çështjeve.

Ilir Paço: Duhet të besojmë se ka vërtet një lëvizje të Greqisë nga qëndrimi për Ligjin e Luftës?

Bushati: Qëndrimi i Kotzias ishte i saktë. Nuk ka gjendje lufte mes dy vende, por ka një ligj lufte që po punohet për të gjetur rrugët juridike për ta shfuqizuar, dhe kjo do të kishte efekte praktike për qytetarët shqiptarë. Do çlironte energji pozitive dhe do reduktonte çdo paragjykim që ekziston në marrrëdhëniet tona. Unë besoj që në muajt në vijim do të shohim rezultate praktike për këtë.

Ilir Paço: Pamë një angazhim të ri të Greqisë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të prapambetura, përfshirë edhe çështjen e detit. A është de facto kjo një tërheqje e Athinës nga pakti i parë detar dhe garanci për rinegociim të një pakti të ri?

Bushati: Nuk do preferoja që të flisnim për tërheqje të njërës apo tjetrës palë. Kemi pasur kontakte të vazhdueshme me Greqinë në të gjitha nivelet. Kemi rënë dakort që të kemi një rishikim të gjithë kësaj praktike me ekspertë të përbashkët, grupi i reflektimit, për të verifikuar nga pikëpamja teknike për përcaktimin e shelfit detar nën praktikat më të mira ndërkombëtare dhe një zgjidhje që do të ishte e pranueshme nga të dyja palët. Nëse grupi do të arrijë të gjejë një gjuhë të përbashkët, do të ishim shumë të lumtur, në të kundërt besojmë që e drejta ndërkombëtare ofron mekanizmat e duhura për këtë.

Ilir Paço: Do të ketë një komision dypalësh për rinegociimin e detit, a ka ndonjë afat kohor për këtë komision?

Bushati: Kemi diskutuar sot për një plan kohor pune që do të ekzekutohet mes qeverive tona. Në vjeshtë unë do të vizitoj Athinën për të diskutuar afatet konkrete për këtë çështje dhe për gjithë gamën e çështjeve të tjera. Shpesh në media flitet më shumë për ndasitë, sesa të përbashkëtat. Ne jemi dakortësuar për një dokument që do të përcaktonte kufijtë kohorë. Bëmë rinovimin e Traktatit të Miqësisë dhe transformimi i tij në një dokument të Partneritetit Strategjik, që do të krijonte mundësi për të thelluar dhe zgjeruar fushat e bashkëpunimit dhe për të rritur besimin në këto marrëdhënie për të reduktuar paragjykimet, për të pasur më shumë besim tek e drejta ndërkombëtare dhe rruga e përbashkët europiane. Shqipëria nuk kërkon që të vendosë një precedentë për detin, në të kundërt kërkojmë respektimin e pozicionit tonë në përputhje me detyrimet ndërkombëtare, që të gjejmë një rrugë europiane. Ndaj një optimizëm sa i përket të ardhmes që e pret marrëdhënien tonë me Greqinë.

Ilir Paço: Do të rishkruhet Traktati i Miqësisë Shqipëri – Greqi i 1996-s, çfarë do të thotë kjo në marrëdhëniet dypalëshe, veçanërisht për nenin 15 për çështjen e Komisionit të Përbashkët për Pronat?

Bushati: Ne duam të rishkruajmë një faqe të re në marrëdhënien tonë. Kanë kaluar shumë kohë qëkur është firmosur ky traktat, dhe situata e tanishme dhe realiteti në Europë dhe Ballkan është krejt ndryshe. Kjo do të kontribuojë në heqjen e pengesave për shqiptarët për gëzimin e të drejtave të pronësisë. Ne do të kemi një komision për të skicuar një hartë të qartë dhe një plan të qartë veprimi sesi mund të eleminohen barrierat për të gëzuar të drejtat pronësore, si nga qytetarët grekë, ashtu dhe nga ata shqiptarë. Ndaj të njëjtën pikëpamje me Kotzias, që ligji i luftës dhe çmontimi i tij nga ana juridike sjell efekte pozitive në këtë drejtim dhe në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Top Channel