Shkodër, ndalohen 9 punonjës të Tatimeve, abuzuan me detyrën

15/07/2015 00:00

Pas një operacioni të koduar “Evazioni”, policia e Shkodrës ka ndalur 9 punonjës të Tatimeve në këtë qytet dhe një tjetër është shpallur në kërkim, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, duke favorizuar në mënyrë të paligjshme disa biznese.

Policia ka bërë të ditur se personat e arrestuar janë shtetasit: Uarda Albunesa, 29 vjeçe, Përgjegjëse e Sektorit të Verifikimit në Terren; Genti Bilali, 47 vjeç; Fatjon Dibra, 29 vjeç; Erxhan Meta, 41 vjeçe; Nikolin Arra, 24 vjeç; Eris Llukacej, 29 vjeç; Rrok Lorja, 58 vjeç; Gjon Prronaj, 56 vjeç, dhe Kreshnik Dibra, 30 vjeç; të gjithë specialistë në Sektorin e Verifikimit në Terren, në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve Shkodër. Ndërkohë, mësohet se është bërë  shpallja në kërkim e shtetasit me iniciale E.P., vjeç 41, specialist pranë Tatim-Taksave.

Sipas burimeve nga policia, pas hetimeve disa mujore është arritur në  përfundimin se shtetasit e ndaluar dyshohen për mos përmbushje të detyrimeve ligjore të legjislacionit tatimor, mos marrje të  masave të duhura administrative ndaj subjekteve tregtare, të cilët ushtronin aktivitet tregtar në kundërshtim me ligjet tatimore.
 
Gjithashtu, gjatë kontrolleve në disa biznese në Velipojë dhe Shkodër  është  konstatuar shkelje të ndryshme në fushën tatimore, të dokumentuara me sekuestrim të printerave jo fiskal, dokumentacion jo tatimor, etj, që përdoreshin nga këto subjekte për ushtrimin e aktivitetit të tyre tregtar, duke konsumuar kështu elementët e veprës penale “Mos kryerja e detyrave nga organet tatimore” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
 
Në këtë mënyrë, subjektet tregtare kanë shmangur detyrimet tatimore ndaj shtetit në vlera të konsiderueshme monetare.
 
Nga ana e grupit hetimor vijon puna për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të shtetasve të sipërcituar.

Top Channel