Gjermania konfirmon mbështetjen për Kosovën. Mustafa takohet me diplomatin Ischinger

15/07/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, u takua të mërkurën me diplomatin gjerman, Wolfgang Ischinger, ku u bisedua për proceset aktuale në Kosovë, për progresin që po arrihet në shumë fusha si dhe për bashkëpunimin e Kosovës me Gjermaninë.

Në deklaratën e lëshuar nga Kryeministria e Kosovës thuhet se Mustafa vlerësoi konferencën e Mynihut për Siguri, si një prej ngjarjeve vjetore më të rëndësishme globale që synon promovimin e zgjidhjes paqësore të konflikteve, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe të dialogut në trajtimin e sfidave të sigurisë, ku marrin pjesë liderë të shteteve anekënd botës.

Bëhet e ditur se Mustafa e ka informuar diplomatin gjerman edhe për progresin që po arrihet në Kosovë, për reformat që po ndërmerr Qeveria në shumë fusha, duke filluar nga zhvillimi ekonomik, hapja e vendeve të punës, forcimi i shtetit ligjor dhe sigurisë dhe proceset integruese evropiane.

Ndërkohë, Wolfgang Ischinger vlerësoi lart progresin që po arrihet në Kosovë, duke shprehur përkrahje të mëtejshme për proceset në vend. Ai u interesua edhe për zhvillimet tjera në Kosovë dhe e ftoi kryeministrin Mustafa që të marrë pjesë sërish në konferencën e radhës të Mynihut për Siguri, që do të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm.

Top Channel