Afërsisht 9 mijë e 500 njerëz humbasin jetën çdo vit në Londër si pasojë e ndotjes së ajrit, një shifër kjo që flet për dyfishimin e vdekjeve të shkaktuara nga ky faktor krahasuar me vitet e shkuara.

Sipas një studimi nga “Greater London Authority and Transport”, gazi kryesor që shkakton edhe ndotjen me të dëmshme të ajrit është dioksidi i nitratit i cili përhapet në atmosferë në 90% të rasteve nga karburanti i makinave dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë në mushkëritë e njerëzve.

Ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit rrit rrezikun e kancerit të mushkërive, si dhe dëmton zhvillimin e plotë të mushkërive te fëmijët. Sipas autoriteteve londineze, ky është një mesazh i fortë për qeverinë se duhet të veprojë sa më shpejtë.

Ndërkaq, indeksi që tregon ndotjen në qytetet europiane e radhit Tiranën në qytetin e katërt më të ndotur të unionit, pas Napolit, Kievit dhe Shkupit. Indekset e ndotjes së atmosferës shërbejnë për të orientuar vendet se çfarë masash duhet të marrin për të pastruar mjedisin e tyre.

Po ashtu, një hartë e “Washington Post” shfaq qytetet të cilat do të jenë në krye të klasifikimeve botërore për sa i përket ndotjes së ajrit deri në vitin 2030. Pjesë e kësaj liste janë qytete të njohura si: Parisi, Varshava, Stokholmi në Suedi apo Shtutgardi në Gjermani.

Ajo që i ka çuditur hulumtuesit është se jo domosdoshmërisht qytetet me të mëdha do të vuajnë nga ndotja më e lartë. Arsyet kryesore të ndotjes do të jenë shtimi i numrit të automjeteve, hidrokarburet, djegia e pyjeve apo lëndëve të tjera të ngurta, si dhe industria.

Top Channel