Votimi në Parlamentin grek ka dëshmuar edhe njëherë për përçarjen në partinë e Tsipras. 38 deputetë i kanë kthyer shpinën, pasi 32 prej tyre votuan kundër, kurse gjashtë abstenuan.

Zëdhënësi i qeverisë, dhe anëtari i kësaj partie, Gabriel Salelaridis është shprehur se vota “po” është një hap i rëndësishëm përpara në lidhje me marrëveshjen, por ka thënë se rezultati ka treguar një të vërtetë të dhimbshme.

“Rezultati i votimit të sotëm tregon se në grupin parlamentar të Syrizas nuk ka unitet. Sidoqoftë, prioriteti i qeverisë dhe kryeministrit është përfundimi i menjëhershëm dhe i suksesshëm i marrëveshjes”, është shprehur Salelaridis.

Ndërkohë, ministri i Financave, Euclid Tsakalotos, që mori këtë detyrë nga Varoufakis një ditë pas referendumit, ka thënë se marrëveshja e Greqisë me kreditorët të hënën, ishte zgjedhja e vetme.

“Duhet t’ju them se e hëna ka qenë dita më e vështirë në jetën time. Është një vendim që do të peshojë mbi mua gjithë jetën. Nuk e di nëse kemi bërë gjënë e duhur, por e kemi bërë sepse nuk kishim zgjedhje tjetër”, u shpreh Tsakolotos.

Top Channel