Lushnje, arrestohet autori i grabitjes së agjencisë

16/07/2015 00:00

Agjentët e krimeve të komisariatit të policisë në Lushnje kanë arrestuar në orët e fundit një 26-vjeçar lidhur me grabitjen e një dite më parë të një agjencie të transferimit të parave.

Sipas një njoftimi për shtyp, në pranga ka rënë shtetasi Ersant Dervishi, banues në fshatin Karbunarë të Vogël.

Nga hetimet policia ka arritur të verifikojë përgjegjësinë e tij për grabitjen e një dite më parë, kur Dervishi hyri në agjenci i maskuar dhe nën ushtrimin e dhunës grabiti 4 mijë euro.

Në cilësinë e provës materiale, agjentët kanë bërë sekuestrimin e motorit, skafandrës dhe qeses së përdorur për mbajtjen e parave.

I dyshuari ishte ndaluar më herët nga policia, por këtë mëngjes është zyrtarizuar arrestimi i tij. Ndërkohë, materialet i kanë kaluar prokurorisë së rrethit, për akuzën e “vjedhjes me dhunë”.

Top Channel