Tiranë, pranga vrasësve të 19-vjeçarit

16/07/2015 00:00

Efektivët e komisariatit numër 6 në Tiranë kanë arrestuar në orët e para të kësaj të enjteje dy të rinj të dyshuar për vrasje dhe plagosje me armë të ftohta.

Lajmin e bëjnë të ditur burime policore zyrtare, sipas të cilave në pranga kanë rënë shtetasit Luan Shkalla nga Vora dhe miku i tij i identifikuar me inicialet R.V, banues në Tiranë, të moshave 18 dhe 17 vjeç.

Sipas burimeve, dy të rinjtë akuzohen për vrasjen e shtetasit Klevis Disha, pas një sherri të lindur për motive të dobëta pasditen e së mërkurës në një kompleks pishinash në Vorë.

Disha ka ndërruar jetë në spital për shkak të plagëve të marra, ndërkohë që nga përdorimi i armëve të ftohta, thika, kanë mbetur të plagosur edhe 4 shokë të tjerë të viktimës, të cilët u përfshinë në sherr.

Disha dhe miqtë e tij rezultojnë me banim në Nikel dhe kishin ardhur për disa ditë në Tiranë, saktësohet më tej në njoftimin për shtyp.

Top Channel