Kultivimi i kanabisit, asgjesohen mbi 650 bimë në operacione të ndryshme

16/07/2015 00:00

Efektivët e komisariatit të policisë së Tropojës, pas informacioneve të mbledhura në rrugë operative kanë ushtruar një kontroll në një zonë pyjore, në afërsi të fshatit Tetaj, kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Si rezultat i kontrollit, bëjnë të ditur burime policore zyrtare, në këtë zonë janë gjetur dhe asgjesuar rreth 300 bimë të tipit kanabis, të kultivuara në dy parcela. Sipas burimeve, bimët e mbjella arrinin deri në 2 metra lartësi.

Ndërkohë, në kuadër të operacionit është bërë i mundur edhe arrestimi i shtetasit Peshk Qehaja, 23 vjeç nga fshati Tetaj, i dyshuar si kultivuesi i bimëve narkotike.

Materialet i kanë kaluar ndërkohë për procedim të mëtejshëm Prokurorisë së Tropojës, vijojnë më tej burimet zyrtare.

Ndërkohë, në një operacion të ngjashëm të kryer në Skrapar, në fshatin Dores agjentët e policisë kanë gjetur dhe asgjesuar rreth 350 bimë narkotike.

Gjetja e bimëve është realizuar në vijim të operacionit “Start 2015”, në një zonë pyjore të fshatit në rrethinat e Skraparit. Sipas drejtuesve të policisë lokale, bimët e mbjella arrinin deri në 1 metër lartësi.

Top Channel