Sekuestrohen 9 kg heroinë në tragetin e linjës Durrës-Bari

16/07/2015 00:00

Të paktën 9 kilogramë drogë e dyshuar si heroinë janë sekuestruar mbrëmjen e së mërkurës në portin e Durrësit.

Burime policore lokale bëjnë me dije se heroina është zbuluar në një automjet që po imbarkohej në tragetin e linjës Durrës-Bari.

Ndërkohë që janë arrestuar poseduesit e saj, shtetasit Aleks Gjergji dhe Luan Veçani, përkatësisht 39 dhe 59 vjeç, të dy nga qyteti i Lushnjes.

Sipas burimeve, sasia e heroinës ishte e ndarë në 17 pako të mbështjella me qese celofoni, të fshehura në një automjet tip “Ford Focus”, me targë “AA 536 LH”.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar edhe 1 mijë euro para të thata dhe 3 telefonë celularë, saktësojnë burimet.

Uniformat blu po koordinohen me prokurorinë lokale për zgjerimin e hetimeve mbi këtë rast të trafikut të drogës.

Top Channel