Ligji për arsimin e lartë, PD nuk lejon futjen në Kuvend: Shkatërron universitetet publike

16/07/2015 00:00

Parlamenti do të diskutojë të martën projektligjin për arsimin e lartë, i kundërshtuar fort nga disa autoritete të jetës akademike në vend, shoqatat e studentëve dhe së fundmi më zë të lartë edhe nga opozita.

Rendi i ditës e parashikonte miratimin e tij këtë të enjte, por diskutimet për projekligjin në Komisionin Parlamentar të Arsimit u mbyllën pas mesnatës dhe sipas rregullores duhet të kalojnë 48 orë që ai të shqyrtohet në Parlament.

“Ju kërkoj ta hiqni nga rendi i ditës sepse nuk plotëson këtë kusht të rregullores së Parlamentit”, tha Edi Paloka, kryetar i Grupit Parlamentar, PD.

Mazhoranca u përpoq ta miratojë që gjatë kësaj seance, por opozita nuk kurseu kërcënimet për bojkot.

“Formalisht kryetari i Grupit Parlamentar të opozitës ka të drejtë kur e trajton, por këtu nuk jemi formalisht në Parlament për të penguar qoftë edhe përmes procedurave parlamentare”, u përgjigj kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi.

“Nëse me arrogancën që është mësuar kjo mazhorancë, do të vazhdojë të këmbëngulë në shkelje të rregullores, atëherë qëndrimi ynë do të jetë krejt tjetër. Ne kërkojmë të zbatoni rregulloren dhe asgjë më shumë”, tha Paloka.

Pak më vonë, në një qëndrim që nuk e kishte aritikuluar asnjëherë më parë kaq qartë kundër ligjit për arsimin e lartë, opozita renditi disa arsye përse është kundër.

“Një projektligj i kësaj qeverie që u mbyll derën maturantëve që nuk vijnë nga familje të kamura, që rikthen korrupsionin në konkurse në stadiume, sikurse ndodhte deri në vitin 2005. Me një skemë financiare që qartazi çon në shuarjen dhe mbylljen e një numri jo të vogël universitetesh publike, që nga Gjirokastra e deri në Shkodër”, deklaroi Genc Pollo, kryetar i Komisionit Parlamentar të Medias dhe Arsimit.

Sipas opozitës projektligji shkatërron autonominë universitare dhe favorizon klientë të qeverisë, por Genc Pollo nuk përmendi asnjë emër konkret.

“Pa harruar si gjithmonë, skemat financiare në favor të klientelës së qeverisë. Për këtë arsye opozita e ka kundërshtuar fort dhe do ta kundërshtojë më tej këtë projektligj”, u shpreh Pollo.

Top Channel