PD: Reforma për pronat, skandaloze. Ligji më anti-pronar në histori

16/07/2015 00:00

Partia Demokratike ka akuzuar të enjten qeverinë se, pasi ka shënuar një bilanc zero në dy vite, madje kthim pas në çështjen e kompensimit të pronave, tani është paraqitur me një projektligj që është pak të quhet skandaloz.

Në një deklaratë për mediat, deputetja Jorida Tabaku ka deklaruar se, kryeministri Rama kërkon që toka të kompensohet me vlerën e vitit 1976, pra të vitit kur Kushtetuta Komuniste i shtetëzoi të gjitha tokat.

“Si rrjedhim, nëse një tokë me sipërfaqe 2.000 metër katror që ka qenë jashtë vijës së verdhë në vitin 1976, e sot gjendet brenda vijës së verdhë dhe ka një vlerë më të lartë, do të kompensohet sikur të jetë jashtë vijës së verdhë, pra sipas kufijve të vitit 1976”, ka deklaruar Tabaku.

Sipas saj, në mënyrë antikushtetuese dhe kundër çdo parimi të konventave ndërkombëtare, ligji do të prekë edhe ata pronarë që kanë marrë tashmë një sipërfaqe toke.

“Neni 6 do të hyjë në histori si neni më anti-pronar i hartuar ndonjëherë dhe kjo nuk është aspak rastësi, por e qëllimshme për të favorizuar ata që janë afër pushtetit. Pika 1 e nenit përcakton se prona vlerësohet sipas zërit kadastral në momentin e shpronësimit. Pra, nëqoftëse një pronar është shpronësuar për 10.000 metra katrorë tokë bujqësore në zonën “Komuna Parisit” në Tiranë, kjo tokë do vlerësohet si tokë bujqësore në zonën kadastrale më të afërt që ka tokë bujqësore, në këtë rast atë të Vaqarrit, ku vlera është afërsisht 2-3 euro për metër katror”, ka sqaruar Tabaku.

Sipas po këtij neni, ka vijuar deputetja e PD, prona zhvlerësohet duke nxjerrë jashtë zonave të qendrës prona që ndoshta tani janë kompensuar dhe pronarët e ligjshëm do të duhet t’i kthejnë buxhetit të shtetit kompensimin e përfituar.

“Filozofi më anti-pronë nuk besoj se ka pasur, jo vetëm këto 25 vite, por as përpara vitit 1990. Ligji përcakton se çmimet e tokës i vendos shteti dhe se këto çmime nuk mund të kundërshtohen në gjykatë”, ka nënvizuar Tabaku.

“Ligji merr përsipër që të ndërtojë një Agjenci të Trajtimit të Pronave, që nuk është veçse një agjenci burokratësh në formën e ish-komisarëve të dikurshëm, që po sillen me pronarët në të njëjtën mënyrë si bënte dikur dega e brendshme”, ka thënë ajo.

Në emër të PD, deputetja ka vlerësuar se, ky ligj përfundimisht dënon përjetë pronarët e tokës, ndaj dhe Partia Demokratike nuk do ta lejojë këtë ligj të kalojë në Parlament dhe mbi të gjitha do të bëjë gjithçka të mundshme për ta çuar betejën e pronarëve deri në fund.

“Kjo nismë e Edi Ramës cënon një prej të drejtave themelore siç është e drejta e pronës dhe e bën kryeministrin feudalin e madh të vendit, që shpërndan si të dojë vetë prona e vendos si të dojë ai çmime. Ne do të jemi në krah të pronarëve, në krah të kauzës së tyre të drejtë për të mos lejuar kthimin pas në kohët më të errëta”, ka shtuar Tabaku.

Top Channel