Skandali “FIFA Gate”, ekstradohet në SHBA një nga zyrtarët

16/07/2015 00:00

Një nga zyrtarët e lartë të FIFA të arrestuar me akuzën e korrupsionit u ekstradua në drejtim të SHBA. Lajmi u konfirmua nga autoritetet zvicerane të cilat nuk e zbuluan identitetin e të ekstraduarit, por sipas medias në Ishujt Kajman ishte Xhefri Ueb ai që pranoi kërkesën e drejtësisë amerikane për ekstradim.

Xhefri Ueb 50 vjec, ka qenë presidenti i Federatës së Futbollit për Amerikën Veriore dhe Qendrore, CONCACAF dhe zëvendëpresident i FIFA. Akuzat në drejtim të tij janë për marrje ryshfetesh për miliona dollarë për shitjen e të drejtave të marketingut.

Ndërkaq, 6 zyrtarët e tjerë të arrestuar po luftojnë që të mos ekstradohen për në SHBA. Arrestimi i zyrtarëve të FIFA u krye në 27 maj me kërkesë të Departamentit Amerikan të Drejtësisë me këtë të fundit që ka vënë nën akuzë gjithsej 14 zyrtarë të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit. Fillimisht hetimet u bazuan te procesi i votimit për kandidaturën e Rusisë dhe Katarit për Botërorët 2018 dhe 2022, por më pas ato u zgjeruan, dhe pjesë e tyre u bënë edhe disa marrëveshje që FIFA kishte nënshkruar gjatë 20 viteve të fundit.

Sipas Departamentit Amerikan të Drejtësisë, procesi i korrupsionit u planifikua në SHBA dhe bankat amerikane janë përdorur për transferimin e parave.

Top Channel