Baballarë të devotshëm në familje, nismë që burrat të jenë më kontribues

16/07/2015 00:00

Përmes fotove është kërkuar të tregohet sesa i rëndësishëm është roli i djemve dhe i baballarëve në krijimin e një familje të shëndetshme. Ministri i Mirëqënies Sociale Blendi Klosi tha se do të kërkohet edhe ndryshimi i kodit të familjes ku përveç nënave të reja do të ketë leje edhe për burrat.

“Kemi propozuar që baballarët të kenë të drejtë të marrin lejen e lindjes tashmë, pas 60 ditëve të para të detyrueshme për nënën. Kemi propozuar dhe futjen për herë të parë të lejes prindërore për kujdesjen e fëmijëve, njëlloj si për burrat e për gratë. Këto janë disa ndryshime që ne i kemi propozuar në kodin e Punës që do të kalojnë shumë shpejt”, tha ministri Klosi.

Iris Luarasi ka theksuar se nisma më e re “Fushata e baballarëve” kërkon të tregojë sesa i rëndësishëm është roli i djemve në një familje.

“Fillimi i përfshirjes së baballarëve duhet të përfshijë përpjekjet për të ndaluar ciklin e dhunës, sepse ne e dimë që afërsisht 1 në 3 gra pëson dhunë nga partneri. Dhe 3/4 e fëmijëve mes moshës 2-14 vjeç ka mësuar një lloj forme disiplinore dhune në shtëpi”, tha znj. Luarasi.

Edukimi i fëmijëve dhe mbështjetja e grave në familje nga bashkëshortët e tyre ndikon mjaft pozitivisht në jetën e tyre.

Top Channel