Debatet për ligjin për arsimin e lartë, Berisha përplaset me Nikollan

16/07/2015 00:00

Megjithëse debati për ligjin e ri të arsimit të lartë u shty për të martën e javës që vjen, debati për të dominoi një pjesë të mirë të seancës parlamentare, ku ish-kryeministri Berisha replikoi me ministren e Arsimit, Lindita Nikolla.

Ish-kryemistri deklaroi se nxitimi për miratimin e ligjit nxitet nga interesa të forta klienteliste për favorizimin e një universiteti privat, që ai vetë pohoi se e pati mbështetur kur ishte në krye të qeverisë.

Sali Berisha, ish-kryeministër: Prej dy vitesh në mënyrën më të pabesueshme, Edi Rama me veglën e tij, Lindita Nikolla nuk u kanë dërguar një doktoratë të vetme universiteteve publike. Që të gjitha doktoratat, pra 8 mijë euro copa, zonja Nikolla me urdhër të zotit Rama ja ka kaluar klientelës së tij private, në të cilën të paktën 4 mijë euro i përfiton urdhërdhënësi.

Lindita Nikolla: Zoti Berisha, gjeni një akt të vetëm, një akt ligjor që kjo është e mundur.

Ministrja Nikolla publikoi shifra, që sipas saj, ishte Qeveria “Berisha” ajo që liberalizoi mbrojtjen e doktoraturave tek universitetet private.

Nikolla: Para shtatorit të 2013, në 3 vite, 238 aplikantë, 193 aplikantë, 145 aplikantë dhe nga shtatori i 2013 e deri në momentin që flasim, zero aplikantë. Kjo është e vërteta e gjithë historisë së stisur e gjitha mbi një thashethemnajë.

Sali Berisha: Ku është doktoratura e Edi Ramës?! A e dini që është zhdukur doktoratura e tij apo jo?! Ti e di shumë mirë historinë e saj.

Top Channel