Ligji i ri për koncesionet, PD: Përqendrimi rrit korrupsionin

16/07/2015 00:00

Parlamenti është përfshirë nga debatet për ligjin e ri të koncesioneve dhe partneritetit publik privat.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj deklaroi se ligji i jep fund korrupsionit me kontrata koncesionare.

“Nuk mund të kërkosh më një koncesion me ofertë të pa kërkuar me tre copa letrash. Tashmë do të duhet të kërkosh një koncesion me një studim vizibiliteti të avancuar ose me një projekt-ide tejet të avancuar. Kjo është risia e parë dhe bën diferencë cilësore. E dyta, vazhdonte kalvari në administrata, në rastin më të mirë 272 ditë. Shkurtimi i kohës është një nga cilësitë kryesore të ligjit. Procedura kërkon maksimumin 145 ditë”, tha Ahmetaj.

Por opozita thotë se drafti i ri që qeveria ka përgatitur i zgjeron hapësirat për korrupsion pasi e centralizon të gjithë vendimmarrjen tek Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

“Në këto dy vite keni vepruar kundër asaj që keni propaganduar. Ju keni sjellë para nesh një ligj që ndryshimin e tij më të rëndësishëm ka centralizimin e koncesioneve, ndryshe nga ligji i mëparshëm. Ligji i ri i jep fuqi ministrit që të merret me to. Ministri do të japë certifikata koncesionare nga ato që ia ka ënda. Ky ligj nuk ka asgjë të re, vetëm krijimin e pashallëkut të koncesioneve”, tha deputetja e PD-së, Jorida Tabaku.

Paralelisht ligji i ri i hap rrugë koncesioneve dhe investimeve të përbashkëta shtet-privat edhe në sektorin e bujqësisë, të cilat deri më tani kanë qenë të përjashtuara. Përballë mungesës së parave publike qeveria shpreson që përmes kësaj rrugë të tërheq kapitalin privat për të financuar zhvillimin ekonomik të vendit.

Por një sërë institucionesh të speacilizuara, përfshirë Fondin Monetar Ndërkombëtar i kanë kërkuar qeverisë të bëjë kujdes me koncesionet, pasi ato mund të rrisin borxhin në mënyrë të fshehtë duke rritur kostot mbi qytetarët.

Ridvan Bode tha se e majta, e cila dikur i quante koncesionet instrumente korrupsioni, tani po kërkon të kanalizojë edhe para publike në to.

“U anatemuan si instrumente të korrupsionit, të dhënies së shërbimeve publike sektorit privat pa një garë, sot ato rikonfirmohen. Nuk bëhet asgjë për t’i hequr ato nga lista e qeverisë dhe për më tepër, hapet hapësira që fondet publike të bashkëfinancohen në këto lloj koncesionesh”, tha Bode, ish-ministër i Financave.

Por, Erjon Braçe i kujtoi ish ministrit të financave, se ishte pikërisht ai që firmosi shitjen e dyshimtë në koncesionin e skanerëve.

“Letra e ish-ministrit, leja me firmën e tij; të transferohen 49% e aksioneve të një koncesioni që fillon me 360 milionë euro vlerë biznesi, ku shiten vetëm për 490 lekë”, tha Braç

Përballë mungesës së parave publike qeveria shpreson që përmes koncesioneve të tërheq kapital;in privat për të financuar zhvillimin ekonomik të vendit. Por një sërë institucionesh të speacilizuara, përfshirë fondin monetar ndërkombëtar i kanë kërkuar qeverisë të bëjë kujdes me koncesionet, pasi ato mund të rrisin borxhin në mënyrë të fshehtë duke rritur kostot mbi qytetarët.

Top Channel