Maqedoni, protestuesit antiqeveritarë heqin çadrat para selisë së Qeverisë

16/07/2015 00:00

Pas qëndrimit dy mujorë para selisë së qeverisë, protestuesit opozitarë këtë të enjte kanë filluar t’i largojnë çadrat e tyre.

Këtë vendim ata e kanë marrë pas marrëveshjes së arritur për dalje nga kriza politike, që e obligon kryeministrin Nikola Gruevski të largohet nga posti që mban në fund të këtij viti.

“Qëllimi ynë kryesor është që vendi të çlirohet plotësisht nga ky regjim. Këtë nuk e arritëm tani, por jemi duke ecur në atë drejtim, për të vendosur një sistem demokratik në Maqedoni”, tha një protestues.

“Porosia jonë për kryeministrin është që të ikë sa më parë, për të mirën e vendit tonë ku mungon liria, qetësia dhe drejtësia”, u shpreh një tjetër protestues.

Një ditë më parë, lideri i LSDM-së Zoran Zaev, falënderoi protestuesit, siç u shpreh ai, për qëndrimin e tyre deri në fund të “betejës” për largimin e Gruevskit nga pushteti.

I ashtuquajturi “Kampi i lirisë” u ngrit më 17 maj, pas protestës antiqeveritare të organizuar nga opozita maqedonase.

Nga ana tjetër, mbështetësit e pushtetit që ngritën çadrat e tyre para ndërtesës së Parlamentit në Shkup, si kundërpërgjigje ndaj protestuesve të opozitës, ende nuk kanë filluar të largohen. Ata nuk deshën të flasin para kamerës dhe nuk treguan deri kur do të qëndrojnë në tendat e tyre.

Top Channel