Kuvend, ngrihet Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi

16/07/2015 00:00

Kuvendi i hapi dritën jeshile nisjes së punës për reformën në sistemin e drejtësisë duke ngritur me 93 vota pro Komisionin e Posaçëm, ku palët përfaqësohen me numër të barabartë anëtarësh.

Pesë anëtarët e mazhorancës në këtë komision janë Fatmir Xhafaj, njëkohësisht edhe kryetar i komisionit, Vasilika Hysi, Pandeli Majko, Ulsi Manja dhe Spartak Braho. Ndërsa opozita do të përfaqësohet nga Eduart Halimi, Oerd Bylykbashi, Arben Ristani, Gent Strazimiri dhe Fatmir Mediu.

Ngritja e këtij komisioni mbërrin pas marrëveshjes së arritur në fillim të javës mes mazhorancës dhe opozitës, një marrëveshja e gjetur edhe me ndërhyrjen e fortë të ndërkombëtarëve, që kohët e fundit kanë shpeshtuar thirrjet për këtë reformë, duke e cilësuar si vendimtare në çeljen e negociatave të anëtarësimit të vendit tonë në BE.

Në punimet e këtij komisioni nuk parashikohet e drejta e vetos për opozitën, siç kërkonte ajo disa muaj më parë, por do të ushtrohet parimi i paritetit.

Megjithatë, mazhoranca ka ruajtur epërsinë e votave nëpërmjet ushtrimit të fuqisë së votës së dyfishtë të kryetarit, i cili ka rënë dakord të mos e përdorë në disa raste të veçanta, të kërkuara edhe më herët nga opozita dhe që kanë të bëjnë kryesisht me ekspertizën e ligjeve.

“Përjashtimisht në rastet kur rezultati është i barabartë, vota e kryetarit të komisionit është vendimtare, duke respektuar në çdo vendimarrje standardet ndërkombëtare të transparencës dhe gjithëpërfshirjes në kosultim me ekspertizën ndërkombëtare, përfshirë edhe Komisionin e Venecias”, tha Xhafaj.

“Duke pasur parasysh që procesi të përputhet me standardet europiane, kryetari nuk do të përdorë votën e dyfishtë. Pra, do të ketë një respektim të padiskutueshëm të këtyre standardeve. Për këtë ne kemi rënë dakord”, u shpreh Halimi.

Partnerët ndërkombëtarë presin që dy palë mosbesuese ndaj njëra-tjetrës të punojnë së bashku për reformën në drejtësi. Fjala konstruktivitet u përdor si nga socialistët edhe nga demokratët.

Top Channel