Lajmi që bankat greke do të hapen ditën e hënë është pritur me një ndjenjë lehtësimi nga miliona grekë.

Sipas burimeve, nga Banka e Greqisë çdo person do të mund të tërheqë nga llogaria e tij bankare nëpërmjet bankomateve ose nga arkat brenda institucioneve financiare deri në 180 euro çdo tre ditë.

Vendimi thuhet se është marrë pasi BQE-ja në mesditën e së enjtes ka aprovuar rritjen e furnizimin të bankave greke me rreth 900 milionë euro për një javë dhe menjëherë është vënë re në të gjitha bankomatet e vendit se janë zhdukur radhët e njerëzve.

Por, siç ka theksuar kreu i BQE, Mario Draghi, likuiditeti ndaj bankave greke do të jetë i kontrolluar për të shmangur një dyndje të të gjithë qytetarëve për të tërhequr depozitat, ndaj do të vazhdojë të ekzistojë kontrolli i kapitaleve bankare edhe për aq kohë sa të vendoset normaliteti.

“Përgjegjësia për të hequr kontrollet e kapitalit, si dhe për t’i imponuar ato i takon Qeverisë greke. Kjo është diçka që ajo duhet të vendosë. Por ne duhet ta bëjmë këtë në një mënyrë që te mos sjellim një rrezik tjetër, i cili mund të ndodhë para vendosjes së kontrollit të kapitali, ai i tërheqjes masive të depozitave”, tha Draghi.

Ndërkohë, lajmi i dytë i mirë për Greqinë është se Eurogroupi, pas votimit në Parlamentin grek, ka aprovuar në mesditën e së enjtes edhe dhënien e një kredie, prej 7 miliardë euro, e  thënë më saktë një paradhënie nga paketa e madhe e ndihmës prej 85 miliardë, në mënyrë që Athina të shlyejë mbi 3.5 mld euro pagesa ndaj BQE-së ditën e hënë dhe rreth 2 miliardë FMN-së po gjatë javës që vjen.

“Unë jam i lumtur të them se gjatë kësaj pasditeje, “Ecofin”, Këshilli Europian i Ministrave të Financave, ka arritur një marrëveshje për një financim- urë, nga tani deri në mesin e gushtit. Dhe unë jam shumë i lumtur që ne kemi qenë në gjendje për të arritur këtë marrëveshje, sipas propozimeve të Komisionit”, tha presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker.

Ndërkohë, pikëpyetje të mëdha ekzistojnë se cilat janë hapat e mëtejshme të kryeministrit Tsipras, i cili vërtet kaloi me shumicë votash masat e para si kusht për paketën e ndihmës në Parlamentin grek, por pa një rebelim nga 39 deputetë të partisë së tij që votuan kundër ose abstenuan, midis tyre edhe ministra të kabinetit.

Në orët e ardhshme pritet një reformatim i Qeverise, por ajo që sjell më shumë kokëçarje te kreu i Qeverisë është fakti nëse do të ketë rebelime të tjera në 22 Korrik, kur të kërkojë aprovimin për masat e tjera të ashpra në Parlament, siç janë taksat ndaj fermerëve dhe krijimin e fondit prej 50 miliardë eurosh nga shitja e pasurisë shtetërore. Gjithsesi janë të shumtë zërat se në shtator ose në tetor në Greqi priten zgjedhje të parakohshme.

Top Channel