Obama dhe Cameron urojnë presidenten Jahjaga festën e Bajramit

16/07/2015 00:00

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama i ka dërguar një telegram urimi Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga, me rastin e festës së Bajramit.

“Populli amerikan na bashkohet mua dhe Michelles në përcjelljen e dëshirave tona më të mira juve dhe popullit të vendit tuaj në festimin tuaj të Bajramit të madh.

Gjatë Ramazanit, myslimanët në mbarë botën – duke përfshirë edhe komunitetin e fortë dhe dinamik mysliman të Amerikës – janë munduar që të jenë më afër me Zotin, nëpërmes ripërtëritjes shpirtërore dhe veprave të besnikërisë fetare. Kjo ishte, po ashtu, një mundësi për të kaluar më shumë kohë me të dashurit tanë, të ndihmohen ata që kishin më pak fat dhe të mendojmë më thellë për mençurinë dhe paqen, të cilat rrjedhin nga besimi. Ishte po ashtu kohë që, gjatë ritualeve të agjërimit dhe lutjeve, të rikujtojmë vlerat të cilat të gjithë ne i ndajmë dhe njerëzimin tonë të përbashkët. Urojmë që viti që vjen t’ju sjellë gëzim, prosperitet dhe mirëqenie”, thuhet në urimin e Obamës për presidentes Jahjaga.

Ndërkohë, mësohet se presidentja e Kosovës ka marrë edhe një mesazh urimi nga kryeministri britanik, David Cameron, me rastin e Festës së Bajramit.

Në urimin e zotit Cameron thuhet: “Urime festën e Bajramit. Dëshiroj përzemërsisht t’ua uroj festën Juve, familjes suaj, si dhe mbarë popullit të Kosovës, me dëshirat më të sinqerta për një Fitër Bajram të qetë e të lumtur”, shkruan në urimin e tij kryeministri Cameron”.

Top Channel