KLD shkarkon gjyqtaren e Tiranës. Ministria e Drejtësisë kishte konstatuar shkelje për Elona Gjokën

16/07/2015 00:00

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Gjykatës së Tiranës, Elona Gjoka pas propozimit të bërë nga ana e ministrit të Drejtësisë.

Vetëm pak kohë më parë, po ndaj kësaj gjyqtare, KLD kishte vendosur një tjetër masë disiplinore, atë të transferimit për një periudhë 2-vjeçare në Gjykatën e Kavajës.

Por, duket se shkeljet e konstatuara nga ana e Ministrisë së Drejtësisë kanë qenë të shumta, çka kanë çuar në shkarkimin nga detyra të gjyqtares Elona Gjoka.

Ndërkaq, mësohet se një ndër ankesat e ardhura ndaj gjyqtares Elona Gjoka, në bazë të të cilave është marrë dhe masa e shkarkimit, ka qenë dhe ajo e Muhamet Hitos, rast ky i bërë publik në emisionin investigativ “Fiks Fare” në janar të vitit 2014.

Në këtë denoncim, qytetari në fjalë ankohej se gjyqtarja Elona Gjoka, në kundërshtim me ligjin zvarriti për më shumë se tre vite një çështje gjyqësore ku ai ishte palë.

Ndërkaq, po në këtë mbledhje u vendos masa disiplinore “Vërejtje me paralajmërim” për gjyqtarin Sh.B. të Gjykatës së Beratit.

Top Channel