Rehabilitimi i Syrit të Kaltër, Koka apel banorëve dhe turistëve për të treguar kujdes

16/07/2015 00:00

Nga Syri i Kaltër në Sarandë ku ishte i pranishëm me inaugurimin e përfundimit të punimeve të projektit rehabilitues për këtë zonë të mbrojtur, ministri i Mjedisit, Lefter Koka, përsëriti thirrjen drejtuar banorëve dhe turistëve për t’u treguar të vëmendshëm në parandalimin e zjarreve.

“Temperaturat janë të larta dhe tani rrezikojmë shumë që të kemi jo vetëm zjarre të qëllimshme, por edhe natyrore të cilat mund të shkaktohen për shkak të temperaturave. Është shumë më lehtë parandalimi se sa shuarja e vatrave të zjarrit, ndaj do të dëshiroja shumë që qytetarët të jenë të vëmendshëm që të mos hedhin qoftë edhe një cigare të ndezur, ose nëse do të hetojnë një vatër zjarri të tentojë ta shuajnë që në fazën e parë sepse do të jetë një dhuratë  e madhe që do t’i bëjnë këtij vendi”, u shpreh ministri Koka.

Rehabilitimi i kësaj zone, një investim i Ministrisë së Mjedisit me një fond prej 15 milionë lekësh ka përfshirë sistemimin dhe zgjerimin e rrugës në një gjatësi prej 3 kilometrash, ndërtimi i 2 parkingjeve dhe hapjen e kanaleve kulluese për ujërat sipërfaqësorë.

Gjithashtu, janë pastruar mbetjet urbane në një sipërfaqe prej 3900 metër katror. Në zbatim të projektit është bërë edhe rrethimi i të gjithë perimetrit të burimit si një masë për të shmangur ndotjen e tij.

Top Channel