Pak minuta para fundit të muajit të shenjtë të Ramazanit, kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj ka uruar besimtarët dhe të gjithë shqiptarët anembanë botës për festën e Fitër Bajramit, e cila është simboli i paqes, qetësisë shpirtërore dhe harmonisë.
Gjatë lutjes kryetari Bruçaj ka kërkuar nga Zoti më shumë begati, paqe e qetësi për shoqërinë dhe atdheun tonë.
Urimi i kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj
Bismil-lahi Rrahmani Rrahim!
Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirëplotit!
Të nderuar besimtarë shqiptarë, kudo që ndodheni!
Më lejoni që në këto çaste të gëzuara të festës se Fitër Bajramit, këtij momenti të gëzimit dhe të lehtësimit shpirtëror, t’ju përcjell urimet e mia më të sinqerta dhe të përzemërta, për një jetë sa më të lumtur, për shëndet dhe mirësi, për sukses në çdo sferë të jetës; me shpresën e madhe, që Zoti të na ketë falur mëkatet tona dhe të ketë pranuar adhurimet dhe sakrificën tonë.
Bajrami është simbol i paqes, i gëzimit, i harmonisë, i qetësisë shpirtërore, moment i lartësimit të Allahut dhe koha e shpresës së arritjes së kënaqësisë së Krijuesit.
Duke përfituar nga përkujdesja e veçantë hyjnore, që Zoti i madh ka ndaj nesh në ditët e Bajramit, unë i lutem Atij dhe ju ftoj edhe ju t’i lutemi së bashku për më shumë paqe, begati gëzim e harmoni, për shuarjen e luftërave dhe konflikteve anë e mbanë globit.
O Zoti ynë! Jepi begati, mirësi, paqe e qetësi shoqërisë sonë dhe atdheut tonë Shqipërisë, e bashkë me të mbarë njerëzisë.
Gëzuar e përshumvjet Fitër Bajramin.
Zoti e begatoftë çdo ditë tuajën.
Amin!
Top Channel