1 vit nga tragjedia ajrore, Australia kujton viktimat e MH17

17/07/2015 00:00

Australia ka kujtuar viktimat e tragjedisë ajrore të “Malaysian Airlines” MH17, në të cilën vdiqën 298 njerëz, përfshirë edhe 39 australianë.

Një pllakë me emrat e viktimave është shpalosur përpara hyrjes së Parlamentit të këtij vendi. Avioni MH17 ishte duke udhëtuar nga Amsterdami në drejtim të Kuala Lumpur, kur u rrëzua më 17 korrik 2014.

Kryeministri australian, Tony Abbot ka thënë se nuk do të ndalen deri në vënien para drejtësisë së autorëve të kësaj tragjedie. Ai është shprehur se dhimbja është e madhe, ndërsa ajo shtohet edhe më shumë kur shkaktarët e saj janë ende të lirë.

Një fjalim rasti ka mbajtur edhe lideri i opozitës, Bill Shorten, ndërsa bashkë me Abbot do të takojnë familjarët e viktimave.

Në Malajzi aktivitet përkujtimore janë mbajtur më 11 korrik, pasi data e sotme (17 korrik) përkon edhe me festën e Fiter Bajramit. Ndërkohë, gjatë ditës së premte,  do të ketë aktivitete në nderim të viktimave edhe në Holandë e Ukrainë.

Perëndimorët gjithmonë kanë drejtuar gishtin nga rebelët pro-rusë në Ukrainë, si shkaktarë të tragjedisë, por vetë rebelët kanë thënë se nuk janë përgjegjës për vdekjen e rreth 300 vetave.

Top Channel