Vdekja e 4 marinsave, Obama: Hetim të plotë dhe të shpejtë për ngjarjen

17/07/2015 00:00

Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama ne emër të popullit amerikan ka ngushëlluar familjarët e katër marinsave të vrarë, gjatë një sulmi në Tenesi që dyshohet të jetë terrorist.

“Në emër të popullit amerikan, dua t’u shpreh familjarëve të katër marinsave të vrarë ngushëllimet më të sinqerta. Është diçka e dhimbshme t’u marrësh jetën katër burrave, qëllim i jetës së të cilëve ishte që t’i shërbenin vendit të tyre. Në këto momente të vështira, familjarët duhet të ndiejnë mbështetjen tonë për të kaluar këtë situatë”, u shpreh Obama.

Obama ka premtuar një hetim të plotë dhe të shpejtë për ngjarjen, ndërsa ka thënë se rezultatet e hetimit do të ndihmojnë autoritetet të shmangin ngjarje të tilla në të ardhmen.

“Çdo plumb i shkrepur në këtë vend merret seriozisht, sidomos nëse këta plumba i drejtohen Forcave të Armatosura. Do të ketë një hetim të plotë dhe të shpejtë, që do të na nxjerr në përfundime se jo vetëm se cili ishte qëllimi i sulmit, por edhe për të shmangur ngjarje të tilla në të ardhmen”, deklaroi Presidenti i SHBA-ve.

Top Channel