Masakra në bazën e marinës, FBI: S’ka të dhëna për lidhje me ISIS

17/07/2015 00:00

FBI ka marrë në dorë hetimet mbi masakrën e ndodhur një ditë më parë në bazën e marinës amerikane në Tenesi.

Ndonëse ngjarja është klasifikuar si “akt terrorist i brendshëm”, Byroja Federale e Hetimit ka deklaruar se, për momentin nuk ka indicje mbi motivet e veprimit të autorit Youssuf Abdulazeez.

Nga të shtënat mbetën të vrarë 4 anëtarë të marinës, ndërsa tre të tjerë u plagosën, një prej të cilëve ndodhet në gjendje të rëndë në spital.

FBI ka deklaruar gjithashtu se, për momentin nuk ka të dhëna që Abdulazeez të ketë qenë i lidhur me ndonjë organizatë terroriste ndërkombëtare.

Agjenti Ed Reinhold tha në një konferencë për shtyp se, autori fillimisht qëlloi nga bordi i makinës së tij rreth orës 10:45 me orën lokale.

Më pas, ai u fut në qendrën e rekrutëve të marinës, doli nga makina dhe filloi të hapte zjarr ndaj marinsave.

Se çfarë e shtyu atë të kryente një akt të tillë, kjo do të jetë subjekt i një hetimi intensiv që do të shtrihet thellë në të kaluarën e tij, miqtë, familjarët dhe gjendjen e tij mendore.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se Mohammad Youssef Abdulazeez ka vepruar i vetëm. Pikërisht të ashtuquajturit “ujqit e vetmuar” janë më të vështirët për t’u ndaluar.

Si presidenti Obama ashtu edhe drejtori i FBI-së e kanë nënvizuar disa herë këtë problem së fundmi dhe u kanë kërkuar komuniteteve lokale që të jenë të vëmendshme ndaj çdo sinjali.

Më herët, policia izoloi zonën përreth shtëpisë ku jetonte atentatori, që mbeti i vrarë, në përpjekje për të bashkuar copëzat e motiveve që mund ta kenë shtyrë atë drejt këtij akti.

Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes deklaruan se kishin parë dy gra teksa merreshin të prangosura nga policia nga shtëpia e Abdulazeez.

Top Channel